Para se të filloni ndërtimin e një objekti të ri është e rëndësishme t’i keni të qarta të gjitha rregullat dhe ligjet që lidhen me ndërtim, në mënyrë që ju paraprakisht të përgatisni dokumentacionin e duhur për përfundimin e procedurës me sukses.

Njëri ndër dokumentet që nevojitet për të aplikuar për leje ndërtimi në komunën tuaj, është pëlqimi parimor nga KEDS. Meqenëse KEDS ka shtrirje të rrjetit gjithandej Republikës së Kosovës, informatat për këtë lloj kërkese janë të domosdoshme.

Por çka është kërkesa për pëlqim parimor dhe si bëhet ajo?

Dokumenti zyrtar i lëshuar nga KEDS që tregon se lokacioni në të cilin ju keni paraparë ndërtimin e një objekti është i sigurt për banim sa i përket aspektit elektro-teknik dhe në të njëjtën kohë nuk rrezikon furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve ekzistues.

Kjo leje me fjalë të tjera tregon se ndërtimi juaj nuk ndikon në infrastrukturën, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrjetit ekzistues të KEDS. Pra, ky aplikim quhet pëlqim parimor, sepse së bashku me lejet nga institucionet e tjera është leja e parë që ju merrni nga KEDS, para se të filloni ndërtimet në pronën tuaj.

Këto janë dokumetet e nevojshme për të aplikuar për pëlqimin parimor:

  1. Një dokument identifikues si dhe autorizmin noterial nese aplikoni për dikë tjetër
  2. Kushtet e ndërtimit nga komuna përkatëse
  3. Kopja e planit dhe foto poseduese e parcelës
  4. Situacioni i gjendjes në terren
  5. Formën e plotësuar të kërkesës për pëlqim parimor

Këtë të fundit mund ta shkarkoni online në ueb faqen e KEDS apo ta merrni formën fizike në sportelet e KEDS.

Ndërsa më poshtë janë të paraqitur hapat që duhet të ndiqni për parashtrimin e kërkesës për pëlqim parimor.

Hapi i parë që duhet të bëni për të parashtruar këtë kërkesë, është të paraqiteni në sportelet e KEDS duke pasur një dokument identifikues me vete. Është e nevojshme që ju t’i shtoni të dhënat përkatëse në lidhje me pronën/parcelën, duke përfshirë edhe emrin e pronarit, si dhe adresën e saktë të pronës, kopjen e planit, etj. Gjithashtu, nëse gjatë plotësimit të kërkesës keni nevojë për ndonjë sqarim shtesë, kolegët tanë në sportel janë të gatshëm t’ju ndihmojnë në të gjitha pyetjet që ju keni.

Pas pranimit të kërkesës tuaj, inxhinierët e KEDS inspektojnë terrenin për të cilin është bërë kërkesa dhe nëse konstatohet që gjithçka është në rregull, pra, kur të gjitha kushtet janë të plotësuara në bazë të standardeve teknike, konsumatori njoftohet për të marrë pëlqimin parimor nga KEDS.

Ndonëse siguria njerëzore është thelbësore, nëse nuk merrni leje për pëlqim parimor ekziston një rrezik i konsiderueshëm për të shkaktuar edhe ndërprerje në rrjetin elektrik.

Një gërmim në vend të gabuar, apo një dëmtim i shtyllës elektrike mund të rezultojë në ndërprerjen e energjisë elektrike jo vetëm të një shtëpie, por të një lagjeje apo edhe një pjesë të madhe të një fshati apo qyteti.

Në rastin ku ka asete të KEDS në atë zonë ku ju dëshironi të filloni ndërtimet, atëherë shqyrtohet terreni dhe përgatitet zgjidhja teknike nga inxhinierët tanë.

Pra, nëse KEDS konsideron që ju nuk mund t’i filloni punimet menjëherë për shkak të rreziqeve të cilat mund të krijohen nga ndërtimi i objektit të ri, ju do të merrni përgjigje se çka do të veprohet tutje, varësisht nga situata në terren.

Në rastin kur një kompani apo një person dëmton asetet e KEDS gjatë gërmimit apo punimeve në atë lokacion ai/ajo duhet të kompensojë dëmet që i ka shkaktuar kompanisë në bazë të ligjeve në fuqi.

Për të shmangur të gjitha këto situata të pafavorshme, është më se e nevojshme të kuptoni kërkesën për pëlqim parimor dhe ta bëni atë para se të keni filluar ndërtimet në pronën tuaj. 

Ju lutem jini në dijeni që lejen për fillim të ndërtimeve sa i përket anës së KEDS, mund ta parashtrojë edhe vetë institucioni i komunës në të cilën ju keni aplikuar paraprakisht për leje ndërtimi.

Në këto raste, komuna pasi të marrë përgjigjen nga KEDS, ju jep konfirmimin përfundimtar, nëse ju mund të vazhdoni tutje me projektin tuaj.

Nëse konsumatori paraqet kërkesën në KEDS, atëherë përgjigjen për pëlqim parimor do ta marrë nga KEDS, duke e kontaktuar përmes të dhënave që konsumatori ka vendosur përgjatë aplikimit.

Mbani mend, që vetëm pasi ta keni marrë miratim për pëlqim parimor, ju mund të vazhdoni në mënyrë legale dhe të sigurt me projektin ndërtimor dhe procedurat e mëtejme në komunën tuaj.

Nëse keni marrë përgjigje pozitive sa i përket pëlqimit parimor, ju mund të vazhdoni tutje me aplikim për leje të ndërtimit dhe pasi të keni përfunduar ndërtimin, respektivisht sipas nevojës për energjizim të objektit, ju mund të procedoni tutje me kërkesat tuaja për kyçje në rrjetin elektro-energjetik të KEDS.

Aplikimi për kërkesën për pëlqim parimor është falas dhe e gjitha që kërkon, është interesimi dhe angazhimi juaj në këtë aspekt.

Artikuj të ngjashëm:
Si të aplikojmë për lidhje të re të thjeshtë në KEDS?

Si të aplikojmë për kyçje të thella apo komplekse?