Themeluar nga KEDS qysh në vitin 2013, akademia ofron trajnime interaktive për studentët e arsimit të lartë dhe për nxënësit e shkollave të mesme teknike në Kosovë.
Në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin Boğaziçi të Stambollit, një nga më prestigjiozët në botë, KEDS Academy ofron trajnime dhe praktikë të avancuar duke u fokusuar në sektorin e energjetikës.
Në këtë akademi mund të aplikojnë vetëm studentët dhe nxënësit e viteve të fundit të studimeve, varësisht nga kriteret në Informatat e aplikimit të vitit përkatës, të cilët përzgjedhen në bazë të rezultateve të fazave të vlerësimit.
Të pranuarit trajnohen si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik, duke u angazhuar në departamente të ndryshme të kompanisë, përfshirë edhe terrenin dhe njohjen me asetet energjetike.
KEDS Academy u shërben pjesëmarrësve si orientim jetësor të veprimtarisë së tyre, duke u bërë kështu bazë e fuqishme e ndërtimit të tyre profesional dhe jetësor.
Pra, qëllimi i KEDS Academy është përgatitja e kuadrove profesionale, me qëllim që t’i ndihmojmë studentë që të bëhen udhëheqës të suksesshëm të së nesërmes.
Që nga fillimi i operimit të saj kjo akademi ka trajnuar qindra studentë dhe nxënës, madje disa nga ta tani kanë marrë përgjegjësi të larta menaxhuese në kompaninë tonë, në sektorin energjetik në përgjithësi, apo edhe në sektorë të tjerë.
Njëherit kjo akademi është duke ndihmuar edhe në zbutjen e papunësisë në vend, pasi që po aftëson pjesëmarrësit për tregun e punës, vendor dhe atë jashtëm.
KEDS Academy i ka kaluar kufijtë e Kosovës edhe për nga vlerësimi që i është bërë programit nga shumë qendra të njohura botërore. Programi ka marrë çmime në Paris, Washington, Stamboll, Londër si dhe vende të tjera për ndikimin tejet pozitiv që ka pasur te rinia kosovare.
KEDS Academy si projekt i qëndrueshëm i kompanisë, vazhdon të jap kontribut të madh në edukimin profesional të dhjetëra të rinjve çdo vit, si dhe llogaritet një nga programet më të avancuara në vend dhe më tej për përgatitjen e tyre për tregun e punës.
KEDS Academy është një mundësi e ndritshme për të rinjtë energjik të vendit!