Pilot-projekti i vendosjes së faturave në zarfe po has në vështirësi të ndryshme
KEDS/KESCO kanë filluar gjatë këtyre ditëve pilot-projektin e vendosjes në zarfe të faturave të energjisë elektrike.
Janë targetuar një grup konsumatorësh që të shikohet mundësia e implementimit dhe deri tash janë vënë re disa pengesa. Një nga pengesat kryesore deri më tash është mungesa e kutive postare te konsumatorët. Kjo e vështirëson shumë procesin e dorëzimit të faturave.
Pengesë tjetër e rëndësishme është vonesa që shkaktohet nga kjo në procesin e leximit të njehsorëve, që përkthehet në rritje të kostove.
Në këto rrethana, kompania është duke shikuar alternativën e dërgimit të faturave në mënyrë digjitale si një nga opsionet më efiçiente, por kjo mund të ndodhë kur të hyjë në fuqi ligji që e rregullon këtë çështje.
Leximi i faturave nga KEDS bëhet përmes pajisjes përkatëse të dorës, njëjtë siç është bërë deri më tash. Bartja e zarfeve është po ashtu ngarkesë e madhe për punonjësit tanë, kur bëhet fjalë për leximin e një numri të madh të njehsorëve gjatë ditës.
KEDS dhe KESCO janë kompani të rregulluara dhe gjithnjë kanë synim që të bëjnë shpenzime sa më të ulëta për konsumatorët e vet në mënyrë që ata të paguajnë sa më pak. Edhe rregullimi i dërgimit të faturave në bazë të kërkesave ligjore është çështje që kërkon partneritet të disa institucioneve që të gjendet zgjidhja më efiçiente dhe më e favorshme për të gjitha palët, sidomos për konsumatorin fundor.
Pengesat në terren determinojnë gjetjen e alternativave optimale, sidomos kur ato janë reale dhe nuk mundësojnë një sistem unik për tërë territorin e vendit.
KEDS/KESCO kanë mbi 700 mijë konsumatorë anekënd territorit të Kosovës, dhe organizimi i dërgesave postare dhe elementet e tjera që ndërlidhen, nuk janë unike për të gjithë dhe as krijojnë mundësi unike veprimi.
Sidoqoftë, KEDS/KESCO mbesin të përkushtuara që të ndërtojnë partneritet me konsumatorin, të ruajnë privatësinë në të gjitha format e komunikimit ndër personal dhe do të vazhdojnë të avancojnë të gjitha shërbimet ndaj tyre, siç kanë bërë gjatë gjithë 11 vjetëve të operimit në Kosovë.