Ne përpiqemi ta ndriçojmë shtëpinë tuaj të re posa ta kuptojmë që ju keni nevojë për shërbimet tona. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme të marrim kërkesën e bërë nga ju, sepse sa më herët që ne pranojmë kërkesën tuaj, aq më herët fillojmë me procedurat e nevojshme për ndriçimin e vendbanimit tuaj.

 

Aplikimi për lidhje të re të thjeshtë i referohet nevojave të vogla të energjisë elektrike, atyre të shtëpive të zakonshme, pra të vendit ku njerëzit shfrytëzojnë energjinë elektrike kryesisht për nevoja shtëpiake, përkatësisht ato nën 15 kV (kV qëndron për kilovat dhe është njësi e matjes së fuqisë elektrike).

Kjo sepse konsumi i energjisë elektrike për shtëpi të zakonshme përfshin një kapacitet shumë më të vogël krahasuar me bizneset apo industritë të cilave ju nevojitet kapacitet i madh i energjisë për të operuar. Pra, për të vënë në punë pajisjet dhe makineritë elektrike më të sofistikuara.

Nëse keni bërë pothuajse gjithçka gati, por energjia elektrike është ajo që ju mungon, atëherë ne do t’ju tregojmë hapat që duhet ndjekur për të kompletuar edhe këtë çështje mjaft të rëndësishme që ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin sa më cilësor të jetesës.

Gjëja e parë që duhet të bëni rreth energjizimit të shtëpisë/objektit tuaj është të vizitoni sportelet tona, për ta parashtruar kërkesën për lidhje të re.

I vetmi dokument që ju nevojitet për ta bërë këtë kërkesë është dokumenti i identifikimit (letërnjoftimi), por nëse ju jeni duke aplikuar për dikë tjetër, atëherë ju nevojitet edhe autorizimi noterial i personit në fjalë.

Po ashtu, ju duhet të plotësoni formularin e kërkesës për kyçje të re. Nëse gjatë plotësimit të kërkesës, ju keni nevojë për ndonjë sqarim apo informatë plotësuese, zyrtarët tanë në sportel janë të gatshëm t’ju ndihmojnë në plotësimin e këtij formulari.

Në kërkesë gjithashtu kërkohet nga ju që ta përcaktoni një datë, kur objekti juaj është i gatshëm të energjizohet, në mënyrë që ekipi i KEDS të vijë dhe ta bëjë inspektimin në vendin ku ju dëshironi që të bëhet kyçja me energji elektrike.

Plotësimi i kësaj fushe nuk është i domosdoshëm, megjithatë ndihmon kompaninë të bëjë planifikimet e nevojshme për ta sjellë energjinë elektrike në shtëpinë tuaj që prej datës kur juve ju nevojitet.

Pasi të nënshkruani formën e kërkesës, ajo dërgohet tek ekipet përgjegjëse për inspektim të lidhjeve të reja.

Ekipet e KEDS bëjnë inspektimin në terren brenda afateve të përcaktuara dhe nëse konstatohet që gjithçka është në rregull, atëherë aprovohet pranimi teknik, si dhe instalohet njehsori.

Hapi i fundit është të nënshkruani kontratë për furnizim me njërin nga furnizuesit e licensuar para se objekti juaj të jetë energjizuar përfundimisht.

 

Ju lutem të keni parasysh që gjatë aplikimit nuk kërkohet pagesë e menjëhershme për procesin e kyçjes.

Mirëpo, mjetet për shërbimet e kyçjes vijnë në muajin e parë, pra së bashku me faturën e parë të shpenzimit të energjisë elektrike të marrë nga konsumatori.