Infrastruktura dhe sistemi shpërndarës i KEDS është i qenësishëm, sepse mundëson praninë e pandërprerë të energjisë elektrike në shtëpinë tuaj.

Kur bëhet vendosja e aseteve të KEDS në terren, faktorë të rëndësishëm, si zgjedhja e lokacionit me kujdes të veçantë, deri te siguria maksimale e konsumatorëve, merren gjithmonë parasysh.

Në rastet kur konsumatorët iniciojnë dislokimin apo zhvendosjen e aseteve të KEDS për çfarëdo arsye, ata duhet të bëjnë kërkesë për dislokim të aseteve në sportelet e KEDS.

Për të bërë një kërkesë të tillë, konsumatori duhet t’i ndjekë hapat në vijim:

Konsumatori duhet të paraqitet në sportelet e KEDS dhe të ketë me vete një dokument identifikues ose autorizimin noterial nëse aplikon për dikë tjetër.

Konsumatorit do t’i kërkohet të plotësojë formularin për Kërkesë/Ankesë, që duhet të përmbajë të gjitha të dhënat personale në lidhje me konsumatorin ose përfaqësuesin e autorizuar, si dhe të zgjedhë llojin dhe arsyen e bërjes së kërkesës.

Nëse gjatë plotësimit të kërkesës konsumatori ka nevojë për ndonjë pyetje apo paqartësi, kolegët tanë në sportel janë të gatshëm t’ju ndihmojnë në të gjitha pyetjet që ju keni.

Me regjistrimin e kërkesës së konsumatorit, të njëjtit do t’i gjenerohet një numër unik identifikues i tiketës, që do t’i dorëzohet konsumatorit si dëshmi për paraqitjen e kërkesës. Ky numër do t’i mundësojë konsumatorit të përcjellë procesin e zgjidhjes së kërkesës që ata kanë parashtruar.

Kërkesa tutje adresohet te inxhinierët tanë, të cilët dalin në terren për ta analizuar rastin, gjithnjë duke marrë parasysh kërkesën e konsumatorit, si dhe mundësinë për zgjidhje teknike të zhvendosjes së aseteve.

Afati kohor për aprovimin e zgjidhjes teknike mund të ndryshojë në bazë të kompleksitetit dhe të kërkesës tuaj.

Nëse merret vendimi dhe ofrohet zgjidhja teknike për konsumatorin nga KEDS, pra miratohet kërkesa për zhvendosjen e aseteve, konsumatori i cili ka bërë këtë kërkesë, duhet ta kontraktojë një kompani që kryen zhvendosjen e aseteve elektrike.

Kjo bëhet me mjete vetanake të parashtruesit të kërkesës.Kryesi i punës apo kompania e kontaktuar nga ana e konsumatorit, është i obliguar të sjellë në KEDS regjistrin e punëtorëve për ekzekutimin e punëve dhe emrin e organizatës së licensuar nga MTI (Ministria e Tregtisë dhe Industrisë), bashkë me numrin e regjistrit të automjeteve për kryerjen e punimeve.

Gjatë kryerjes së punëve, KEDS mbikëqyrë tërë procesin dhe sigurohet që mënyra e kryerjes së punëve është duke shkuar në bazë të zgjidhjes teknike që është paraparë në fillim nga inxhinierët tanë.

Ju lutem vini re që një kompani nuk mund të fillojë dislokimin e aseteve të KEDS, pa aprovimin e zgjidhjes teknike të marrë nga KEDS!

Po ashtu, duhet të kihet parasysh që çdo kërkesë për zhvendosjen e aseteve të KEDS, mbulohet me mjete vetanake nga ana e konsumatorit, i cili e ka bërë kërkesën.

Vërejtje:

  1. Çështjet pronësore juridike për kryerjen e punimeve duhet t’i rregullojë parashtruesi i kërkesës. 
  2. Kryesi i punës (Investitori) obligohet para fillimit të punimeve:
  • Që të sjellë dokumentacionin (e noterizuar) për lejimin e lokacioneve ku do të vendosen objektet elektro-energjetike pa kompensim dhe për shfrytëzim të përhershëm
  • Leje nga komuna për lokacion
  • Në fillim të punimeve, duhet të njoftohet inxhinieri mbikëqyrës, i cili do të kontrollojë cilësinë e materialit që do të përdoret, si dhe do ta bëjë inspektimin e punimeve gjatë ekzekutimit
  1. Kryesi i punës pas përfundimit të punimeve duhet të bëjë kërkesë për pranim teknik.
  2. Kryesi i punës për pranim teknik duhet të bashkangjet:
  • Kërkesën për pranim teknik
  • Raportet (atestet) e materialit të përdorur
  • Raportet nga matjet e rezistencës së izolimit të kabllove
  • Raportet nga matjet  e tokëzimit mbrojtës dhe punues
  • Projektin e realizimit (zgjidhjen teknike).

Pas pranimit teknik punë-kryesi (investitori) duhet të bëjë kërkesë për kyçje në rrjetin elektro-energjetik.