Përdorini ventilatorët (flladitëset) në vend të kondicionerit;

Kondicionerit i nevojitet më shumë energji për të freskuar ambientin sesa që i nevojitet një ventilatori/flladitëseje. Kjo e dyta e vë në lëvizje më të shpejtë ajrin ekzistues dhe nuk prodhon ajër të ftohtë. Ka raste kur një kondicioner i ndezur për 15 minuta shpenzon më shumë energji sesa një flladitëse që qëndron ndezur për 24 orë të plota.

Nëse përdorni kondicioner, kujdes me temperaturën;

Edhe pse na duket që freskohemi mirë vetëm atëherë kur e kemi kondicionerin në temperaturën më të ftohtë të mundshme, kjo mënyrë e të menaxhuarit kondicionerin nuk është aspak efikase për kursim të energjisë. Ajo që duhet të bëjmë është të gjejmë një temperaturë të përshtatshme dhe efikase, e cila nuk ndikon në rritjen e kostos së energjisë elektrike.

Mbajini perdet mbyllur (nga ora 12:00-16:00);

Nxehtësia e padëshiruar vjen në dritaret tuaja nëse perdet dhe roletat janë të hapura, kështu që sigurohuni t’i mbyllni ato, sidomos në ato dritare ku bie dielli më së shumti. Kjo praktikë është mirë të zbatohet veçanërisht gjatë orëve 12:00 dhe 16:00 kur rrezet e diellit janë shumë të forta dhe nxehtësia transferohet dukshëm.

Përdorini pajisjet elektroshtëpiake gjatë tarifës së ulët;

Gjatë sezonit veror (periudhës 1 prill deri më 30 shtator), tarifa e ulët është prej orës 23:00-08:00. Përdorini pajisjet elektrike gjatë këtyre intervaleve, në mënyrë që të kurseni në faturën tuaj të energjisë elektrike.

Reduktojeni përdorimin e ujit të ngrohtë në lavaman të kuzhinës ose banjos;

Në stinën e verës mundohuni që të mos përdorni ujë të ngrohtë në lavaman të kuzhinës ose banjos. Edhe dushin bëjeni me ujë të vakët ose më të ftohtë kurdo që keni mundësi. Në këtë mënyrë ju kurseni më shumë energji.

Lajini rrobat në temperatura më të ulëta;

Gjatë verës djersitemi më shumë dhe, si rrjedhojë, kemi tendencë që të lajmë më shpesh e më shumë rroba. Kjo pastaj ndikon që të shpenzojmë më shumë energji elektrike. Është mirë që të kujdesemi dhe rrobat t’i lajmë në temperatura dhe intervale të shkurtra, në mënyrë që të kursejmë sa më shumë energji.