Njehsorët elektrikë smart ose të mençur, janë pajisje elektronike që dallojnë shumë nga njehsorët tradicionalë për nga forma e leximit dhe e qasjes në këto pajisje. Këta njehsorë mund të komandohen lehtë nga distanca, si dhe mund të bëjnë leximin e energjisë elektrike po ashtu nga distanca, duke shpërndarë të dhënat e gjeneruara te konsumatori dhe kompania në të njëjtën kohë.

Kjo mënyrë e këmbimit të të dhënave në mes kompanisë dhe konsumatorit ndikon drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe shërbimeve më cilësore. Një përkufizim të këtyre njehsorëve që KEDS viteve të fundit i ka integruar në përdorim për një numër të madh të konsumatorëve, e jep Shukri Aliu, drejtor i Departamentit të Humbjeve të Energjisë Elektrike.

“Njehsori smart i takon gjeneratës më të re të njehsorëve, me mundësi leximi, kyçje ose shkyçje nga distanca, nga ku mund të kemi të gjitha të dhënat e njehsorit në sistem, që mund të përdoren për faturim të konsumatorëve dhe analiza të ndryshme.”, thotë Aliu.

Ai përmend disa nga përparësitë e njehsorëve smart, siç janë përdorimi efiçient i energjisë, sinkronizimi i të dhënave në kohë reale, ulja e sasisë së karbonit të emituar, leximi i energjisë elektrike në kohë, mundësia për kontrollim të cilësisë së tensionit të rrjetit, etj. “Këto të gjitha ndihmojnë konsumatorin, përmirësojnë ambientin dhe lehtësojnë proceset e kompanive distributive e furnizuese të rrjetit elektrik.”, thekson Aliu.

Ai flet edhe për disa nga përparësitë e njehsorëve smart për të kufizuar ose eliminuar në tërësi manipulimet e energjisë elektrike. Si drejtor i Departamentit të Humbjeve të Energjisë Elektrike, ai thotë se një ndër objektivat kyçe të departamentit dhe rrjedhimisht të kompanisë, është zvogëlimi i humbjeve të energjisë elektrike, andaj edhe njehsorët smart po kontribuojnë mjaft shumë në këtë drejtim.

“Me qëllim të arritjes së objektivave tona, ne kemi zhvilluar dhe implementuar projekte mjaft të rëndësishme përmes së cilave kemi arritur t’i zvogëlojmë humbjet si teknike ashtu edhe komerciale. Projekte të tilla përfshijnë njehsorët SMART dhe sisteme softuerike të avancuara“, shton ai.

Sipas tij, këta njehsorë ndihmojnë mjaft shumë në detektimin e parregullsive, meqenëse i regjistrojnë në sistem të gjitha manipulimet e mundshme me energji elektrike: “Të gjitha ngjarjet që janë jashtë parametrave normalë të matjes së njehsorëve digjitalë smart vijnë në sistem dhe kështu mund të detektohen parregullsitë eventuale.”

Si arrijnë këto të dhëna te konsumatori? Përveç në ekranin e njehsorëve smart, të dhënat ditore për shpenzimin e energjisë elektrike transferohen në aplikacionin eKESCO, në të cilin kanë qasje konsumatorët, ku edhe mund të përcjellin të dhënat e detajuara të energjisë që ata e kanë shpenzuar në baza ditore, mujore dhe vjetore. Nga këto të dhëna konsumatorët mund të bëjnë një shfrytëzim shumë më efiçient të energjisë elektrike, dhe kështu bëjnë edhe kursimin e energjisë elektrike.

Deri më tani KEDS i ka instaluar 546 mijë njehsorë digjitalë në total. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë njehsorë smart, që do të thotë kanë më shumë përparësi si lloje të njehsorëve të përditësuar me teknologjinë më të fundit. Drejtuesit e kompanisë parashohin që në një të ardhme të afërt do të arrihet edhe objektivi i kompanisë për implementimin e një shkalle më të gjerë të njehsorëve smart, si pajisje që kanë dëshmuar se kontribuojnë pozitivisht në rritjen e efikasitetit të operimeve ditore të kompanisë përmes shumë faktorëve të lartpërmendur.

*Ky artikull është botuar për herë të parë në magazinën "ENERGY".