Dy projekte në rrjetin energjetik janë duke u implementuar në tensionin e ulët dhe të mesëm nga ekipi i Mirëmbajtjes në fshatin Ruhot të Pejës.

Natyrës së bukur të këtij fshati buzë Drinit të Bardhë, investimet e KEDS po ia rrisin bukurinë edhe më tepër.

Ekipi prej 13 punëtorëve po punojnë intensivisht në Ruhot dhe për disa ditë pritet të përfundojnë edhe projektin e dytë këtu, ku banorët e këtij fshati do të kenë një rrejt krejtësisht të ri energjetik dhe kështu do të zhduket përgjithmonë rrjeti i vjetër.

Një trafo të re me kapacitet 250 kVA ka ndërtuar KEDS dhe ka rikonstruktuar edhe dy trafo tjera ekzistuese në fshat. Gjatë implementimit të këtij projekti janë vendosur gjithsej 41 shtylla betoni të tensionit të mesëm dhe 27 shtylla të tensionit të ulët. 

Gjithashtu janë shtrirë kabllo elektrike  në një gjatësi prej 4,000 metrave. Përfitues të projektit do të jenë konsumatorët e këtij fshati.

Realizimi i këtij projekti do të rregullojë rrjetin e tensionit të ulët, si dhe instalimin e sistemit PLC në fshat. “Shumë projekte investive kanë përfunduar në rajonin e Pejës edhe nga ana e ekipeve të mirëmbajtjes së KEDS-it dhe shumë të tjera priten të realizohen”, thotë koordinatori i Mirëmbajtjes në Distriktin e Pejës, Xhafer Tishukaj.    

“Vetëm vitin e kaluar janë 10 projekte investive që i kemi realizuar në Distriktin e Pejës përmes ekipeve të mirëmbajtjes. Vlen të përmendim  projektet Maja e Zezë, Qallapeku, Ozdrim, Kulla, LP 10 kV Kastrati, Gllareva, Krusheva e Madhe etj. Tash  jemi në procedura për të filluar punën në projektin e Loxhës”, shton ai.

Pos investimeve përmes ekipeve të mirëmbajtjes, KEDS po realizon shumë projekte tjera edhe përmes kontraktorëve.

Investimet e fuqishme po bëjnë që rrjeti në pjesën perëndimore të rrjetit të modernizohet dhe të ofrojë shërbime shumë të sigurta dhe më kualitative për konsumatorët e asaj ane, njëjtë sikurse edhe në tërë territorin e vendit.