Seher Demirci ka diplomuar në Departamentin e Administrimit dhe Menaxhimit të Biznesit në Universitetin e Bosforit në vitin 2004 dhe ka 19 vjet përvojë biznesi në kompani kryesuese dhe globale në role ekzekutive dhe udhëheqëse.

Demirci iu bashkua Grupit Çalik në vitin 2014 dhe për 5 vitet e para ka punuar në role të ndryshme të larta drejtuese, duke u fokusuar në menaxhimin financiar të filialeve që operojnë në një gamë të gjerë sektorësh.

Më pas, në vitin 2019, Demirci kaloi në pozitën Drejtoreshë e Çështjeve Financiare në Çalık Enerji Utility Business, duke mbikëqyrur 2 grupe në Turqi dhe 1 grup në Kosovë. Ajo është emëruar anëtare e Bordit të KEDS-it që nga viti 2020.

Për herë të parë ajo dha një intervistë për revistën Energy, ku foli për përvojën e saj si grua në menaxhmentin e lartë ekzekutiv dhe sfidat e saj gjatë këtij rrugëtimi. Demirci e nisi intervistën me këtë thënie fuqizuese: “Çdo ditë përballemi me sfida që fillimisht duken të pamundura për t'u mposhtur. Për gratë, këto sfida ndonjëherë janë edhe më të vështira, varësisht nga kultura në të cilën jemi rritur, por edhe sektorit ku zgjedhim të punojmë.

Prandaj, arritja në sallën e bordit nuk ka qenë e lehtë për mua. U desh shumë punë, durim dhe përshtatje e shpejtë në mjedise të ndryshme për të arritur zhvillimin dhe avancimin profesional”.

Përvoja e saj e mëparshme, sa nuk ishte pjesë e Bordit, i dha asaj qasje në disa mjete dhe korniza thelbësore për të mprehur mendimin e saj kritik mbi çështjet e qeverisjes së korporatave, dhe këto përvoja përmirësuan aftësitë e saj të gjykimit.

Ngase, siç thotë ajo, të qenët anëtare bordi është një përgjegjësi e madhe. Megjithatë, ajo pranon se sallat e bordeve ku ka diversitet janë gjithmonë më efektive në udhëheqje, sepse sa më shumë diversitet të ketë në një dhomë, ka më shumë shanse për më shumë perspektiva dhe më shumë këndvështrime për t'u integruar aty. Shkurtimisht, ajo pranon se diversiteti zgjeron ekspertizën, depërtimin, shkathtësinë dhe aftësinë e bordit për të menaxhuar rreziqet.

Fakti që Bordi i KEDS-it ka anëtare gra, tregon shumë për kompaninë. Për fat të mirë, këtu barazia nis nga niveli më i lartë i menaxhimit. Mbështetja nuk ekziston vetëm nga gratë, por edhe nga anëtarët burra të bordit, dhe kjo e çon kompaninë në një nivel tjetër kur bëhet fjalë për trajtimin e barabartë, si gjinor ashtu edhe njerëzor.
Sipas Demircit, tri nga karakteristikat që e bëjnë një grua lidere të suksesshme janë puna e madhe, qëndrueshmëria dhe përshtatja e shpejtë ndaj ndryshimeve. Demirci shpjegon se shkallët e suksesit nuk janë të lehta për t'u ngjitur dhe duhet shumë mund dhe punë e madhe për të arritur fillimisht në katin e parë: “Gjithmonë jam përpjekur të marr praktikat më të mira nga çdo përvojë që kam pasur dhe mendoj se arrita këtu duke marrë gjithashtu kohë për të reflektuar për detyrat që kam kryer.”

Sipas saj, kjo mund të jetë ndonjëherë sfiduese për shkak të energjisë dhe përkushtimit që merr, por fakti është se qëndrueshmëria, këmbëngulja dhe gatishmëria për të bërë më të mirën në çdo gjë që bëni, avancojnë aftësitë tuaja në nivele të reja: Zotëroni çdo detyrë dhe kryejeni atë më së miri që dini, sepse ato detyra të vogla që mund t'i konsideroni të parëndësishme, të çojnë në piedestale të paimagjinueshme,” shton ajo më tej.

Gratë në nivelet ekzekutive dhe pozitat vendimmarrëse duhet të jenë kandidate vërtet të forta, efektive me llojin e duhur të CV-së dhe aftësitë e duhura komunikuese, shton Demirci: “Një grua në menaxhmentin e lartë ekzekutiv mund të jetë një kontribuuese vërtet e fortë në politikat e kompanisë, por gjithashtu të krijojë një komunitet që menaxhon dhe eliminon çdo lloj paragjykimi ndaj grave në kompani. Por, duhet përvojë, punë e madhe, planifikim dhe disa vite punë për të fituar këtë përvojë.”

*Ky artikull është botuar për herë të parë në magazinën "ENERGY".