Në mes të diversitetit të shumtë të punëve bazike të KEDS për qëllimin e vetëm - atë të ditribuimit me energji elektrike kualitative për konsumatorët e vendit, në katin e 11-të të ndërtesës së kompanisë, sot vajzat e përzgjedhura për programin Girls TECH, kanë filluar për herë të parë ta mbajnë trajnimin e tyre në një sektor ndryshe nga ai i energjetikës, sektorin e Teknologjisë Informative.

Është fjala për 15 vajzat fatlume, të cilat do të jenë pjesë e programit Girls TECH, që ka për qëllim avancimin e tyre në fushën e programimit.

Trajnimi i mbajtur nga ekspertët e fushës së IT-së këtu në KEDS, filloi me Hyrje në HTML, ndërsa do të vazhdojë zgjerimin edhe javëve në vijim në gjuhët e tjera programuese, bazuar në modulet e përpiluara në përshtatje me standardet ndërkombë tare.

Aulona Halilaj 17 vjeçare, së bashku me shoqen e saj Qamile Elshani po ashtu e të njejtës moshë, dhe që të dyja vijnë nga komuna e  Drenasit, thonë se janë gëzuar jashtëzakonisht shumë që janë përzgjedhur në programin Girls TECH, sepse po e shohin këtë trajnim në KEDS, si mundësi të jashtëzakonshme që ato të aftësohen në fushën e tyre.

Ato na tregojnë me entuziazëm se kanë pasur interesim për fushën e programimit që nga një moshë e hershme dhe janë munduar që të ndjekin sa më shumë kurse tjera informale, pra jashtë shkollës, në mënyrë që të marrin sa më shumë njohuri aty ku duan.

Trajnimet e mëparshme ato thonë t’ju kenë ndihmuar të zbulojmë perspektiva të reja përmes së cilave ato po shohin të ardhme pune dhe zhvillimi në Kosovë, përderisa perspektiva të tilla presin të marrin natyrisht edhe nga programi Girls TECH.

Përderisa në bisedën tonë nuk mbetet pa u përmendur edhe pjesëmarrja e ulët e vajzave në profesionin e programimit, pasi që një kohë të gjatë ky profesion është konsideruar të jetë vetëm për burra.

“Jemi programeret e para vajza nga Drenasi, tjerët janë krejt djemë” ato thonë si me krenari, përderisa të dyja e kanë nga një mesazh për të gjitha vajzat e reja që të ndjekin ëndrrat e tyre për studim dhe aftësim profesional, duke mos u ndalur asnjëherë për shkak të kufizimeve e mentalitetit shoqëror.

Aulona thotë me bindje të plotë: ”Pa marrë parasysh çka thonë të tjerët, vajzat duhet ta dëgjojnë veten e tyre në mënyrë që të arrijnë sukses. Kur djemtë munden ta zotërojnë profesionin e programimit, mundemi edhe ne.”

Ndërsa edhe Qamile Elshani ka për të thënë disa fjalë inkuarjuese për të gjitha vajzat e reja:

 “Nëse e don një profesion edhe përkushtohesh për të, e arrinë suksesin, vetëm duhet të punosh dhe të mundohesh shumë në atë drejtim, duke e dëgjuar vetën dhe duke pasur besim të madh te vetja jote”, përfundon ajo.

Ky është vetëm fillimi i karrierës së tyre, por me kaq ëndrra të mëdha para vetes dhe mendësi të tillë për punë dhe zhvillim, këto vajza pa dyshimin më të vogël një ditë do të jenë shumë të suksesshme në profesionin e tyre.