Qysh në ditët e para të këtij viti, KEDS mobilizoi qindra punëtorë terreni për të qenë në gjendje gatishmërie për të intervenuar në rast se paraqitet nevoja pas rënies drastike të temperaturave dhe përkeqësimit të motit që goditi vendin.

Derisa në njërën anë ekipet tona të terrenit po bënin punë të shkëlqyeshme në terren, në Prishtinë tashmë kishte filluar rrugëtimin e ri KEDS Academy, që do të mirëpriste mbi 60 nxënës/studentë të rinj.

Njëkohësisht, përgjatë gjithë kësaj kohe, KEDS vazhdonte investimet në mirëmbajtje dhe përforcim të rrjetit, për të mundësuar furnizim stabil dhe kualitativ për konsumatorët tanë.

Të njëjtën kohe, për konsumatorët po përgatitej një platformë e re informimi, ueb-faqja e KEDS po bëhej gati për lansimin final me një dizajn komplet të ri, në të cilin do të shpaloseshin shumë risi. 

Në vijim, kemi renditur disa nga ngjarjet kryesore që karakterizuan kuartalin e parë të vitit 2021:

KEDS mobilizon qindra ekipe terreni pas përkeqësimit te motit

Fillimi viti i 2021 ishte mjaft sfidues për ekipet e terrenit. Ata u ballafaquan me kushte jashtëzakonisht të rënduara, ku temperaturat e ulëta dhe acari i janarit vështirësuan intervenimet në rrjet. Përkundër kësaj, ekipet e KEDS nuk u ndalën asnjëherë deri në sanimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga kushtet atmosferike, duke rikthyer kështu furnizimin për të gjithë konsumatorët e afektuar.

Nisën ligjërata e KEDS Academy VIII

Sivjet, programin profesional dhe akademik 1 -vjeçar po e ndjekin 61 kandidatë, të cilët vijnë me profile të ndryshme anekënd Kosovës. Kandidatët e përzgjedhur i përgëzoi edhe Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS, Alper Erbas, i cili iu uroi mirëseardhje. Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit për shkak të situatës pandemike, kandidatët programin po e ndjekin virtualisht, nga distanca duke respektuar udhëzimet e institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Ambasadori Minxhozi priti në takim Kryeshefin Ekzekutiv, z. Erbaş

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Minxhozi priti në takim mikpritës kryeshefin ekzekutiv të KEDS, z. Alper Erbaş. Bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin aktual shumë të mirë në fushën energjetike, si dhe diskutuan për projekte konkrete të përbashkëta në funksion të thellimit dhe zgjerimit të tij.

KEDS vazhdon investimet në rrjet

Përkundër pandemisë KEDS nuk u ndal me investimet në rrjet. Kyçja e konsumatorëve në rrjet të ri dhe energjizimi i rrjetit të ri po mundëson që konsumatorët tanë të përfitojnë shërbime dukshëm më kualitative dhe furnizim më stabil me energji elektrike. Punën nuk po e ndalin as kontraktorët e KEDS, të cilët po vazhdojnë të krijojnë infrastrukturën e nevojshme në terren për shtrirjen e kabllove të reja nëntokësore. Investimet po vazhdojnë sipas planifikimeve derisa pas përfundimit të tyre, konsumatorët tanë do të përfitojnë shërbime moderne dhe kualitative. 

KEDS prezanton ueb-faqen me dizajn tërësisht të ri

Me qëllim që të jemi sa më afër konsumatorit, ueb faqja e re do të ofrojë shumë risi.  Duke iu ofruar një paraqitje grafike ndryshe, që fuqishëm mbështetë identitetin e kompanisë, konsumatorët do të marrin informatat e fundit, të sakta përmes ueb-faqes së re.

KEDS mobilizoi mbi 1300 punëtorë për zgjedhje

KEDS gjatë asaj dite kishte mbi 1300 punëtorë të angazhuar në terren të cilët u siguruan që shpërndarja e energjisë elektrike të jetë stabile në qendrat e votimit anekënd vendit. Krahas kësaj, KEDS kishte vënë në dispozicion në qendrat e votimit rreth 1000 bateri emergjente, që ishin të gatshme të përdoreshin në rast nevoje.  Në dispozicion për qendrat e votimit ishin edhe 70 gjeneratorë mobil për t’u shfrytëzuar në rast të ndonjë të papriture në rrjet, në mënyrë që mbarëvajtja e procesit të votimit të vijojë sipas planifikimeve. Furnizimi me energji elektrike gjatë ditës së zgjedhjeve u monitorua në kohë reale përmes programit më të avancuar Kosovanet dhe sistemit për kontrollimin e nënstacioneve SCADA, që ofroi të dhëna të detajuara për secilën situatë të krijuar në terren.

*Ky artikull u botua për herë të parë në magazinën 'ENERGY'.