Alekta, Burimi, Drenusha, Bajrami sot janë menaxherë në KEDS. Para dhjetë vjetësh ishin studentë të një projekti të ri që po niste për herë të parë në Kosovë- KEDS Academy. Tashmë, për shumë të rinj kosovarë po hidheshin themelet e një programi që do t’u jepte mundësinë e fillimit të rrugëtimit jetësor ende pa diplomuar.

Nga atëherë e deri sot, në akademinë më me nam në sferën e Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës kanë diplomuar dhe janë certifikuar mbi 500 studentë. Kjo pasi gjenerata e 10-të janë në aftësim e sipër dhe se programi po i mbush plot një dekadë këtë vit.

Padyshim që njëra ndër shtyllat kyçe që e ka mbajtur programin në lëvizje dhe në zhvillim janë vetë njerëzit dhe raportet e mira të bashkëpunimit që janë krijuar ndër vite me profesionistë, studentë dhe nxënës që kanë dalë më të ditur e më me besim në vete nga kjo akademi.

Bashkëpunues të ngushtë të programit vazhdojnë të jenë Universiteti i Prishtinës, prej nga edhe vijnë studentët e KEDS Academy, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që vazhdojnë t’i motivojnë nxënësit e shkollave të mesme profesionale që të aplikojnë në program. Përkrahje e madhe vjen edhe nga stafi i Universitetit  Boğaziçi të Turqisë, profesorët prestigjiozë të të cilit udhëtojnë në Kosovë për të mbajtur ligjërata për studentët e pranuar në program.

Aftësimi i studentëve bëhet edhe nga profesionistët e KEDS, gjatë pjesës së ligjëratave dhe gjatë pjesës praktike, ku profesionistët e kompanisë njëkohësisht janë mentorë e udhërrëfyes për studentët e rinj.

Qendra e Trajnimeve është lokacioni ku fillon pjesa praktike për nxënësit, ndërsa studentët shpërndahen nëpër departamente të ndryshme të kompanisë varësisht nga fokusi i tyre, si dhe nevojat e kompanisë.

Si lehtësi për pjesëmarrësit, shpeshherë studentëve të cilët vijnë nga komuna të ndryshme të Kosovës, ju mundësohet që pjesën praktike ta kryejnë në komunat prej nga ata vijnë.

KEDS Academy pra, tash e sa kohë përpiqet ta mbulojë hendekun e papunësisë që është krijuar në Kosovë duke mundësuar krijimin e urave lidhëse në mes të dijes në teori dhe aktualizimin e saj në vendin e punës.

Sot të diplomuarit e KEDS Academy, nga  gjenerata e parë e tutje janë punonjës në KEDS dhe KESCO. Shumë nga ta kanë arritur të avancohen dhe të marrim pozita udhëheqëse dhe të rëndësishme në kompani.

Ndër vite “KEDS Academy” ka fituar çmime të ndryshme në Washington dhe Londër, si dhe Stevie Awards në Paris për aktivitetin më të mirë në fushën e Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës përmes ndryshimeve pozitive që i ka sjellë shoqërisë kosovare përmes aftësimit profesional të të rinjve.

Edhe sot programi vazhdon të jetë një derë e hapur e mundësive për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës. Gjenerata e 10-të është në gjysmë të rrugëtimit të saj dhe shumë shpejt ata do të bëhen pjesë e suksesit të gjeneratave tjera që kaluan në të njëjtin rrugëtim.

Pos punësimit në kompani, studentët kanë arritur suksese të mëdha edhe në shkollimin e mëtutjeshëm. Dhjetëra prej tyre kanë arritur të fitojnë bursa studimi nga universitete evropiane dhe botërore. Këto rezultate evidente kanë bërë që KEDS Academy të jetë program shumë i qëlluar për studentët kosovarë.