Për këto 9 vite sa edhe janë bërë që nga themelimi i KEDS Academy, bashkëpunimi me mbi 20 shkolla teknike të mesme nga e gjithë Kosova, ka qenë pjesë kyçe e programit. Nga këto bashkëpunime, mbi 300 nxënës janë pranuar dhe trajnuar në këtë program dhe shumica e tyre edhe janë punësuar në KEDS.

Ne kemi biseduar me drejtorët e disave nga këto shkolla për të dëgjuar përshtypjet rreth bashkëpunimit me KEDS Academy, rezultatet dhe komentet që ata i kanë marrë nga nxënësit e tyre, si dhe pse ata i konsiderojnë programet e tilla të nevojshme ne avancimin e dijenive praktike të nxënësve.

Qendra e Kompetencës "11 Marsi", Prizren

Kjo qendër bashkëpunon me KEDS Academy për 9 vite, për këtë bashkëpunim të kahmotshmëm që ka çuar në trajnimin dhe punësimin e shumë nxënësve prizerenas,  flet zv/dr. Enver Bytyqi.

“Bashkëpunimi me KEDS Academy është më se i mirëseardhur, sepse na ka mundësuar që të dalim përtej kufijve të qytetit të Prizrenit,” thotë ai, kjo pasi që nxënësve që pranohen në këtë program ju sigurohet transporti, shujtat ditore për të marrë pjesë në programin 1-vjeçar, ku trajnimet dhe ligjëratat gjatë programit mbahen në zyrat e KEDS në Prishtinë dhe në Qendrën e Trajnimeve të KEDS.

Sipas z.Enver, nxënësit e kësaj shkolle duke dëgjuar nga gjeneratat e mëparshme, tanimë e kanë kuptuar që KEDS Academy jo vetëm që po ju jep atyre mundësi punësimi në KEDS, por duke i aftësuar për punë disa nga këta nxënës edhe po pavarësohen duke hapur bizneset e tyre.

“Përveç mundësisë që ky program ju ofron nxënësve që të punësohen në KEDS, me njohuritë që po i pajis ata, disa nga nxënësit e shkollës tonë që kanë ndjekur programin, kanë hapur bizneset e tyre private dhe po qëndrojnë mjaft mirë me këto biznese,“ përfundon ai.