Ishin vitet e 60-ta kur Adifetja mbante llambën e ndriçuar me gaz afër makinës qepëse të nënës së saj, që ajo të shihte sa më mirë në zanatin që e punonte për shumë vite. Ato fillonin punën pasi kryenin të gjitha obligimet e përditshme të shtëpisë dhe vazhdonin deri në orët e vona të natës. Edhe pse drita e llambës ishte e pakët, Adifetja sigurohej që nëna e saj të shihte sa më mirë.


E bëja këtë, sepse isha e vendosur ta mposhtja errësirën,

thotë Adifetja. Elektrifikimi i Kosovës kishte filluar qysh më 1921 në qytetin e Ferizajt, por rryma nuk kishte ardhur në të gjitha qytetet dhe fshatrat në të njëjtin vit.

Energjia elektrike së pari shpërndahej në qytete si dhe në fshatra ku gjendja ekonomike ishte më e mirë, sidomos në ato që prezantoheshin nga njerëz të rëndësishëm dhe me nam në shoqëri. Edhe pozita gjeografike luante rol mjaft të madh. Pra, fshatrat që gjendeshin në periferi dhe në zona më të thella malore, morën kohë që të ndriçohen të gjitha.

Mirëpo, kishte edhe raste kur rryma lëshohej në funksion në tërë fshatin përnjëherësh. Inxhinierët kosovarë punonin pa ndalur që sa më shumë vendbanime të furnizoheshin me energji elektrike. Në pamundësi për të udhëtuar, shpesh ata qëndronin në konak të banorëve derisa elektrifikimi kryhej komplet. Në vitet e 60-70 zhvillimi ekonomik mori hovin më të madh dhe shumica e vendbanimeve në vend patën rastin të kenë për herë të parë energji elektrike në shtëpitë e tyre.

Adifetja, një ish-mësuese nga fshati Vërban i Vitisë, kishte kontribuar sa kishte mundur jo vetëm që të vazhdojë arsimimi i të rinjve, duke mbajtur edhe kurse falas për shkrim e lexim, por edhe kishte bërë që shtëpia e saj të ishte ndër të parat në atë anë që të kishte energji elektrike. Ajo e kishte ditur që fshati i saj ka një shtyllë elektrike andaj kishte blerë poçet, kabllot dhe gjësendet e tjera të nevojshme që shiteshin në shitore të një fshati tjetër dhe i kishte sjellë ato në krahë nga shitorja deri në shtëpinë e saj.

Pastaj, me ndihmën e elektricistit të vetëm në fshat, shtëpia e saj u ndriçua me energji elektrike diku rreth viteve 1961-62. Në fillim kishin vetëm katër drita në shtëpi, por ato mjaftonin për ta bërë jetën e kaluar në terr më të mirë.

Edhe Nuhi Gjinolli tregon se në fillim rryma ka qenë e dobët.

Kur ka ardh n’shpi u kon e ligsht veç me dy tela, monofaze, shprehet Gjinolli.

Dita kur rryma ka ardhur për herë të parë në shtëpitë e kosovarëve mbahet mend mjaft qartë nga ato gjenerata më të moshuara, të cilat e përjetuan dhe e vërejtën ndryshimin më së shumti. Disa e mbajnë mend vitin e saktë, ndërsa disa orientohen sipas lindjeve të fëmijëve të tyre apo ngjarje të këtilla me rëndësi për ta.

Të pamësuar të qëndronin në dritë, disa nga anëtarët e familjes kishin edhe dhimbje të lehta të syve kur rryma u lëshua për herë të pare,

tregon 88-vjeçarja Taibe Kastrati. Por pastaj, siç mësohet njeriu me gjërat e mira në shërbim të tij, jeta e njerëzve filloi të përmirësohet dukshëm pas ardhjes së energjisë elektrike. Dritat që dukeshin në çdo shtëpi, e bënin fshatin plot jetë duke dhënë shpresë se vetë njerëzimi me praninë e energjisë elektrike po shkonte drejt ditëve më të ndritshme.

Në Karaçevë të Epërme, fshat i komunës së Kamenicës, kujton zonja Kastrati, rryma ka ardhur përafërsisht në vitin 1967-68. Natyrisht që momenti kur janë lëshuar dritat për herë të parë ka qenë gëzim i papërshkrueshëm për të gjithë vendasit anekënd vendit:

 Qaq shumë na u ka ndryshu jeta për të mirë, si me na dhanë një palë krahë me fluturu,

shprehet, 76-vjeçarja Hanife Krasniqi nga fshati Rahovicë e Ferizajt. Sipas zonjës Hanife, në këtë fshat rryma ka ardhur rreth viteve 1971-1972.

Fëmijët rrihnin shuplakë bërtitnin: ‘O po na vjen rryma.! Atë natë i lamë dritat ndezë deri në mëngjes. Askush nuk donte t’i shuante.

Përshkruan momentin e ardhjes së rrymës 72-vjeçarja Ramize Maliqi nga fshati Busavatë komuna e Kamenicës, e cila e kujton atë ditë lumëbardhë me shumë nostalgji. Sipas zonjës Ramize, rryma në fshatin e saj ka ardhur rreth vitit 1974. Para se banorët e Kosovës të njoftoheshin me konceptin e energjisë elektrike ata ndriçonin dhomat e tyre në mënyra të ndryshme me kushte aspak të përshtatshme.

Madje, disa nga këto mënyra ishin mjaft të dëmshme për shëndet për shkak të tymit që lironin. Metoda e parë që mbahet mend nga të moshuarit e intervistuar ka qenë kërcelli i një bime, që është mbajtur në duar nga një anëtar i familjes derisa anëtarët tjerë kanë ngrënë darkë.

Edhe pse u digjke shpejt edhe bojke shumë tym, nuk kishim tjetër çka për me bo dritë natën.

shton zonja Ramize. Më vonë ata përdornin një teneqe apo gazishte, ku e vendosnin një fitil pambuku apo diçka tjetër që të digjet. Kjo metodë ka bërë më shumë tym sesa dritë gjatë djegies, sipas përshkrimit të atyre që e kanë përdorur.

Ndërsa tek më vonë, si forma të tjera për ndriçim të dhomave ka pasur llamba vajguri që mund t’i mbajmë mend edhe ne gjeneratat më të reja. Ndoshta mënyrë më e avancuar ka qenë feneri. E mira e fenerit ka qenë që së paku ka qenë i mbyllur përqark me xham për të mos u shuar, por edhe për të mos ndotur ajrin aty për aty.

Ndonjëherë janë bërë edhe dallime gjinore, nëpër oda janë përdorur llambat dhe fenerët ndërsa te gratë ‘gazishtet’ që lironin tym.

Kur kanë hangër bukë gratë i kanë përdorë do gazishte, që janë kanë si konzervë e mrena i kena qit gaz me dhez e dikush u dasht me e majt në dorë,

shprehet 76-vjeçarja nga Rahovica. Të gjitha këto lloje të ndriçimit u përdorën derisa përfundoi elektrifikimi i plotë i vendit në vitin 1983. 

Këto forma të ndriçimit të hershëm bënin shumë pak dritë dhe nëse dikush donte, ta zëmë të thurte një palë çorape gjatë natës, aktivitet ky për të cilën nevojitej drita, ata duhej të afroheshin shumë te vendi ku ishte burimi i dritës ose duhej që dikush ta mbante burimin e dritës në dorë shumë afër, përndryshe ishte shumë errësirë për të parë e për ta përfunduar punën me sukses. Me ardhjen e energjisë elektrike gjërat u lehtësuan shumë.

Në atë kohë shumica e popullatës merreshin me bujqësi. Gra e burra e nganjëherë edhe fëmijët e punonin tokën për t’u ushqyer me prodhimet e saj. Disa edhe mbillnin duhan. Ky i fundit shitej shtrenjtë dhe ndonëse procesi i punës ishte mjaft i vështirë, ishte fitimprurës. Energjia elektrike ju ndihmoi shumë që punët të kryhen më shpejt, sa që e gjithë familja tanimë punonte edhe natën në lidhjen e duhanit sipas zonjës Taibe, familja e të cilës është marrë me kultivimin e duhanit.

Por a e kanë ditur kosovarët se çka është energjia elektrike?

Ish-mësuesi Nuhi Gjinolli, 87-vjeçar, thotë se e ka ditur çka është rryma qysh herët se e ka mësuar në shkollë në lëndën e fizikës.

Në vitet e 50-ta edhe 52-ta jom kon në Ferizaj në shkollë, kom ni për rrymë herët, qysh në klasën e pestë e kom ditë çka osht rryma.

Disa të tjerë shprehen që kanë dëgjuar për rrymën, po nuk e kanë ditë funksionin e saj, funksion ky i ndryshimit të jetës. Ramadan Ajvazi ka dëgjuar për herë të parë për rrymën para viteve të 50-ta. Ai thotë se për herë të parë e ka parë rrymën në Hogosht të Kamenicës, në vitin 1958, të ndërtuar në formë të mullirit për të prodhuar rrymë. Ndërsa në shtëpi të tij, në fshatin Kopërnicë të së njëjtës komunë rryma u lëshua në shtator të vitit 1966.

Ndonëse kaloi pak kohë derisa banorët e Kosovës u pajisën me ndonjë pajisje elektrike, e para që shumica e të intervistuarve e mbajnë mend ishte masha që përdorej për ngrohjen e ujit.

Më vonë ata patën edhe motor të ujit që ua lehtësoi punën jashtëzakonisht shumë, sidomos atyre që nxirrnin ujë me kova nga bunari. Pajisjet e tjera elektrike si të parat që i mbajnë mend janë: Reshov i vogël me një pllakë, radio e më pastaj edhe frigorifer.

E mira e së mirës ishte që energjia elektrike kishte ardhur dhe njerëzit tani po mësoheshin me të mirat që ajo solli në komunitet.

Ky artikull u botua për herë të parë në magazinën 'ENERGY'.