Që nga fillimi i operimit të tij në Kosovë, kontributi i KEDS për shoqërinë kosovare nuk është ndalur asnjëherë. Ndër aktivitetet e shumta të kësaj shtylle janë edhe projektet në procesin edukativo-arsimor në Kosovë.
 

U rikthyem në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ku para tre vjetësh KEDS pat dhuruar 25 kompjuterë për nevojat e 1000 nxënësve të shkollës. Në kabinetin e teknologjisë të krijuar atëherë, takuam Alketën, Shkodranin dhe Timen, nxënës të kësaj shkolle, të cilët ishin duke punuar në disa projekte shkollore.

Nxënësit dhe stafi i shkollës tani po zhvillonin mësimet duke pasur qasje në shumë programe dhe duke u informuar për më të rejat që ndodhin kudo në botë.

Për Alketën, nxënësen e klasës së XII, asgjë nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën e kompjuterëve, për çka ajo falënderon përzemërsisht KEDS-in për këtë donacion.

Ora e teknologjisë është ora më e preferuar e imja, sepse përmes kompjuterit mësoj shumë gjëra të reja. Këtu kemi mësuar programet e Word, Excel, PowerPoint, që janë programe që na ndihmojnë  të zhvillojmë shumë detyra. Kështu përmes programit  Excel ne kemi nxjerrë shumë statistika lidhur me pandeminë Covid 19 në qytetin tonë, që ka qenë një projekt vullnetar ku nëpërmjet grafikëve dhe tabelave kemi nxjerr të dhënat për rastet me pandemi, përfundon nxënësja Alketa.   

Jemi dëshmitarë të një pune të suksesshme dhe jemi shumë të gëzuar që tani fëmijët po zhvillojnë mësimet shumë dhe jo vetëm në lëndën e teknologjisë, por edhe në lëndët tjera mësimore, falë krijimit të këtij kabineti nga KEDS në vitin 2018.

Kompjuterët janë funksional dhe të përdorshme për shumë programe që i aplikojnë nxënësit edhe në jetën e përditshme, thotë Haki Hulaj, mësimdhënës i Shkencave të Teknologjisë.

Profesori kujton që para donacionit nga KEDS, shkolla kishte vetëm një kompjuter e numëronte rreth 1000 nxënës dhe ish e pamundur qasja në të.    

Nxënësi tjetër, Shkodran Kasumaj, mendon që kjo teknologji u ka ndihmuar shumë gjatë këtyre tri  viteve.

Mësimet që po zhvillojmë me ndihmën e kompjuterëve janë shumë më efikase dhe profitabile në plan-programin mësimor. Besoj që këto përvoja do të na ndihmojnë shumë edhe në të ardhmen gjatë studimeve, shprehet Kasumaj.   

Programet që kanë mësuar këtu për nxënësen e klasës së XII, Time Bajraktari, ju kanë hyrë shumë në punë për prezantime në shumë lëndë mësimore.  

Për të qenë në hap me kohën sot duhet të kesh edhe teknologjinë e zhvilluar, e këtë ne falë KEDS-it e kemi. Shkolla jonë çdo ditë po ka projekte të reja e që për ne janë shumë fitimprurëse. Një ndër ta është edhe praktika që po zhvillojmë në kabinetin e teknologjisë. Këtu ne kemi nisur prej zeros,  gjithçka kemi mësuar në këtë kabinet, që nga fillet e teknologjisë e deri në të sotmet që neve këto dije na ndihmojnë shumë. Programi i PowerPoint më ka ndihmuar shumë për të bërë prezantime në nivele të larta edhe në shumë lënde tjera mësimore, ka thënë Bajraktari.

 

Vazhduam rrugën për në SHFMU “Drenica” të Skenderajt, dega në Morinë. Erdhëm këtu gati tre vjet pas krijimit të kësaj biblioteke me libra të dhuruar vullnetarisht nga punonjësit e KEDS.

Në klasën afër bibliotekës nxënësit e klasës së VII të kësaj shkolle ishin duke mbajtur orën e gjuhës shqipe, komentonin lekturat shkollore. Secili nga ta kishin nga një  libër në dorë të marrë nga kjo bibliotekë.

Blendi, nxënës i klasës së VII është i rregullt në bibliotekë dhe vetëm këtë vit ai ka lexuar katër libra nga kjo bibliotekë. Blendi ishte duke e lexuar“ Shpellën e Piratëve” të Petro Markos dhe shprehet shumë i gëzuar që këto libra i gjen në bibliotekën e shkollës dhe nuk ka nevojë t’i blejë.

Po aq e lumtur shprehet edhe Diellza, e cila nuk e ka problem për të gjetur librat për lekturat shkollore, por aty gjen edhe shumë libra të tjerë që asaj i pëlqejnë shumë.

Këtu vijmë shpesh me shoqe për të shfletuar edhe libra të tjerë, përveç lekturave, sidomos ata të ilustruarat na pëlqejnë tepër.  Falënderojmë shumë të gjithë ata që na i kanë sjellë këto libra , thotë Diellza Hoti, nxënëse e kësaj shkolle.

Në qershor të vitit 2018 KEDS pat grumbulluar rreth 1000 libra për krijimin e bibliotekave këtu në Morinë dhe në Reznik të Vushtrrisë dhe sot ishim dëshmitarë se sa shumë iu kanë ndihmuar nxënësve këto libra.

Drejtori i shkollës, Gëzim Gashi, tha se nxënësit kanë lexuar libra rregullisht, sidomos lekturat shkollore që kanë pasur në plan-program  dhe nuk kanë pasur nevojë t’i blejnë ato.

Biblioteka frekuentohet rregullisht nga nxënësit dhe ata janë mjaft të kënaqur për librat që i gjejnë këtu. Duke iu falënderuar edhe njëherë shpresoj të vazhdojmë edhe me projektet të tjera, thotë Gashi.

Këto nuk janë aktivitetet e vetme që  KEDS dhe punëtorët kanë bërë për shkollat. KEDS ka krijuar edhe 7 laboratorë të informatikës në 7 shkolla anekënd Kosovës dhe ka mbajtur kurse për efiçiencën e energjisë elektrike për shumë nxënës të shkollave fillore dhe shumë aktivitete të tjera për të ndihmuar në rritjen e cilësisë së arsimit.