Për këto 9 vite sa edhe janë bërë që nga themelimi i KEDS Academy, bashkëpunimi me mbi 20 shkolla teknike të mesme nga e gjithë Kosova, ka qenë pjesë kyçe e programit. Nga këto bashkëpunime, mbi 300 nxënës janë pranuar dhe trajnuar në këtë program dhe shumica e tyre edhe janë punësuar në KEDS.

Për këtë numër të revistës ENERGY, kemi biseduar me drejtorët e disa nga këto shkolla për të dëgjuar përshtypjet e tyre rreth bashkëpunimit me KEDS Academy, rezultatet dhe komentet që ata i kanë marrë nga nxënësit e tyre, si dhe pse ata i konsiderojnë programet e tilla të nevojshme ne avancimin e dijenive praktike të nxënësve.

Shkolla e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”,Gjakovë

Kjo shkollë bashkëpunon me KEDS Academy për 7 vite dhe për këtë bashkëpunim flet drejtoresha e shkollës znj. Florentina Gjergjaj.

Sipas saj, KEDS Academy është një mundësi shumë e mirë që u ofrohet të rinjve, sidomos atyre që studiojnë energjetikë dhe instalues elektrik, që të kenë mundësi të kryejnë pjesën praktike ose profesionale direkt në vendin e punës.

Ne bashkëpunojmë që nga viti 2015 me KEDS-in. Në të njëjtën kohë është përparësi e jona që rreth 50% e aplikantëve nga shkolla jonë janë pranuar në KEDS Academy. Vlen të ceket që 29 të rinj nga shkolla jonë tashmë janë punonjës të KEDS, si rezultat i programit KEDS Academy.

Ajo për më tepër shton: “Të rinjtë janë të kënaqur, ne kemi feedbackun e tyre, ata janë të kënaqur me punën e tyre dhe me mundësinë që ua ka dhënë edhe shkolla të njëjtën kohë edhe KEDS-i.”