Tetori është muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, duke rritur vëmendjen për diagnostikimin e hershëm, si dhe trajtimin në kohë të sëmundjes.

3 Specialistë nga Klinika e Radiologjisë në QKUK në Prishtinë, si dhe një e mbijetuar e kancerit të gjirit, u ftuan në KEDS, për të mbajtur ligjëratë online, me temë diskutimi vetëdijesimin dhe informimin e detajuar ndaj luftës kundër kancerit të gjirit.

Dr. Shkëndije Nuza, Dr. Ardian Biçaku dhe Dr. Lirije Gashi – Sadiku, si dhe themeluesja e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit "JETA/VITA", znj. Nafije Latifi, informuan punonjëset gra të KEDS lidhur me sëmundjen e kancerit të gjirit, simptomat, llojet e trajtimit, etj.

Mjekët theksuan se kontrollet e rregullta luajnë rol shumë të madh në zbulimin e hershëm të sëmundjes, kur edhe gjasat për shërim janë shumë të mëdha.

Ata thanë se përderisa vajzat dhe gratë duhet të bëjnë ekografi periodike, ato pas moshës 40-vjeçare duhet të bëjnë mamografi të gjirit së paku një herë në vit.

Në ligjëratë u shtua që është shumë e rëndësishme për gratë që të bëjnë vetë-ekzaminime si dhe ekzaminime klinike të rregullta të gjirit.

Për më tepër u tha se jo çdoherë dhimbja është treguesi i parë i sëmundjes, masa tjera shqetësuese janë edhe shenjat e jashtme që mund t’i vërejmë edhe gjatë vetë-ekzaminimit të gjirit.

U prezantuan edhe informata dhe hulumtime shumë me rëndësi dhe u theksua se ndër faktorët e ndryshueshëm të cilët zvogëlojnë mundësitë që gratë të sulmohen nga kanceri i gjirit, janë edhe jeta e shëndetshme, ku hyjnë dieta, aktiviteti fizik si dhe pesha.

Në fund të këtij takimi virtual, gratë patën mundësi të shtrojnë pyetje për panelistët, duke marrë kështu përgjigje profesionale që ju interesonin atyre. Ato gjithashtu u njoftuan për mundësinë e kontrolleve dhe trajtimeve në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare.

Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit e kësaj ligjërate dhe shpresojmë që mesazhet që u thanë këtë ditë, të arrijnë te çdo grua kudo që është, në mënyrë që kjo sëmundje e rrezikshme të marrë vëmendjen e duhur.

Për të lexuar më shumë rreth përvojës personale të znj. Latifi, njëherit edhe themeluese e Qendrës JETA/VITA, në lidhje me përballjen e saj me kancer të gjirit, lexoni intervistën që kemi zhvilluar këtu: Zbulimi i hershëm është mbijetesë.