Në vitin 2006 e themeluam Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit "JETA/VITA" me qëllimin më të mirë dhe përkundër sfidave të shumta, e bëmë realitet synimin që informatat për kancerin e gjirit të arrijnë në çdo shtëpi, te çdo grua...me fjalën e gjallë, me informata të ekspertëve mjekësor, me fletëpalosje, broshura, punëtori, në të gjitha komunat e Kosovës, në mënyrë që sëmundja të zbulohet sa më herët, në fazat e para, kur mbijetesa është më e gjatë e më cilësore, kur trajtimet janë më të lehta e më të pakta, kur shpenzimet janë më të vogla, si për familjen ashtu edhe për shoqërinë., Nafije Latifi.

Lufta për shëndetin e trupit tënd mund të jetë njëra ndër luftërat më të mëdha që mund të kalojë njeriu. Kjo luftë nuk qe e lehtë as për zonjën Nafije Latifi, nga fshati Dubravë e Kaçanikut, e cila u diagnostikua me kancer të gjirit në moshën 54-vjeçare.

Pas disa përballjeve të gjata me këtë sëmundje, Nafija e fitoi betejën. Në një intervistë që ka për qëllim informimin dhe vetëdijesimin e të gjitha grave rreth kancerit të gjirit, Nafija rrëfen përvojën e saj personale si e mbijetuar e kësaj sëmundje, në një kohë kur në Kosovë nuk kishte asnjë institut onkologjik për trajtimin e këtyre pacientëve.

Nafija na foli për kohën kur iu përcaktua diagnoza, deri te trajtimi, si dhe jeta e saj pas kësaj sëmundje. Ajo na tregoi edhe për aktivitetet vullnetare që i ka organizuar në kuadër të shoqatës së saj, si një ambasadore e pandalshme në luftën drejt kancerit të gjirit.

Profesionin që kishte ushtruar për 40 vjet, e braktisi për shkak të kancerit, madje edhe revista që kishte themeluar vetë u shua, por kanceri nuk mundi ta shuajë vullnetin e saj për jetë.

Nafijen sëmundja e gjeti në një etapë të jetës së saj kur ajo ishte e përkushtuar maksimalisht në profesion. Na tha edhe vetë që punonte pandërprerë, pothuajse 24 orë në ditë. Përkrah punës 8-orëshe, kishte themeluar edhe revistën e saj “Rrezja”.

Përballja e saj me kancerin filloi një natë kur vërejti një gjëndër të pazakonshme në anën e djathtë të kraharorit. Meqë vetëm se ishte e informuar për këtë sëmundje, ajo pati dyshimet e veta dhe bëri testimet e nevojshme.

Gjëndra doli të ishte kancer dhe Nafija mori rrugën drejt trajtimit. Ajo duhej medoemos të shkonte në Gjermani pasi në vitin 2006, Kosovës i mungonin klinikat onkologjike. Sëmundja Nafijes iu kthye edhe dy herë të tjera dhe ajo u detyrua të marrë terapi të shumta e të kushtueshme, si dhe të bëjë intervenim kirurgjik.

Mirëpo, me përkrahjen e vazhdueshme të familjes, shoqërisë dhe personelit shëndetësor, përjetimet emocionale dhe fizike sado pak lehtësoheshin dhe vullneti për jetë shtohej.

Foto: Znj. Nafije Latifi

Përveç aspekteve tjera, sëmundja kërkonte që Nafija të shtonte dukshëm kujdesin për dietën dhe shëndetin e saj.

Të ushqyerit mirë dhe të qenit fizikisht aktiv janë shumë të rëndësishme, sidomos për pacientët me kancer, sepse këto mund të kenë ndikim të madh në gjendjen e tyre shëndetësore.

Nafija thotë që gjatë kohës sa ishte e sëmurë me kancer, por edhe më pas, ajo kishte lënë duhanin, kishte ndaluari së ngrëni tërësisht mishin e kuq dhe ishte fokusuar të ushqehej shumë më shëndetshëm.

Sa i përket aktiviteteve fizike që po ashtu luajnë shumë rol, ajo thotë që nuk është person që rri shumë ulur, e pëlqen shumë ecjen në natyrë si dhe notin në det gjatë stinëve të nxehta.

E përkushtuar në informimin e grave në Kosovë për rreziqet e kancerit të gjirit

Në vitin 2006 Nafija e përkrahur nga familja dhe shoqëria e hapi Qendrën e parë në Kosovë për luftimin e kancerit të gjirit “JETA/VITA”. Që nga atëherë, ajo u bë aktiviste frymëzuese drejt vetëdijesimit të grave rreth mbrojtjes kundër kësaj sëmundje që fatkeqësisht është mjaft e shpeshtë. Sipas Shoqërisë Amerikane të Kancerit, çdo e teta grua në Amerikë sulmohet nga kanceri i gjirit çdo vit.

Çka filloi si shkëmbim përvojash dhe takime me gra që kishin përjetuar ose po përjetonin sëmundjen e njëjtë, u zhvillua në një ambient prehje për secilën grua të prekur me kancer.

Po ashtu, me themelimin e shoqatës, shumë gra përreth Kosovës filluan të informohen përnjëherësh më shumë për kancerin e gjirit dhe rëndësinë e kontrolleve vjetore.

Për këtë Nafija thotë:

Nëpërmjet bisedave jam munduar t’ua lehtësoj dhimbjen dhe vështirësitë që ato gra i kanë, kur kalojnë nëpër faza të ndryshme të sëmundjes. Jam munduar që çdo grua që më ka thirr dhe është paraqitur tek unë ta takoj. Të dal të bisedoj me të, t’i jap informacione për përvojat e mija. Jam munduar t’i ndihmoj në çfarëdo mënyre që kam pasur mundësi. 

Shoqata për vite ka ndarë udhëzime e këshilla – si të jetohet me sëmundjen, si t’i kthehen familjes, punës dhe ka organizuar shumë tubime e aktivitete tjera mobilizuese. Nafjja shton: “Broshura, fletëpalosje, ligjërata informuese nëpër komuna të Kosovë, kemi gjetur mënyra të ndryshme t’ju flasim dhjetëra, mijëra grave për këtë sëmundje të rrezikshme.”

 Po ashtu për 14 vite me radhë, gjatë Tetorit, Muaj Ndërkombetar i Luftimit të Kancerit të Gjirit, Qendra ka organizuar ECJEN me të vetmin synim, atë të ngritjes së vetëdijesimit të grave për këtë sëmundje.

E gjitha kjo sipas Nafijes, ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm në shpërndarjen e mesazheve që ato donin të përçonin në shoqëri.

Prej daljes tonë në opinion, në institutin onkologjik paraqiten gra me stade shumë më të hershëm. Paraqiten gra që nuk kanë ndonjë problem, po që shkojnë të bëjnë kontrolle të vazhdueshme, të shohin nëse ka ndonjë vend për shqetësim.

Pas ngritjes së zërit nga Nafija dhe gra të tjera të cilat iu bashkëngjitën kësaj thirrje, arritën ta sigurojnë mamogramin mobil në vitin 2014.

Me sigurimin e këtij aparati u bënë zbulime të hershme të sëmundjes, sepse mjekët po shkonin rreth e rreth Kosovës për të bërë ekzaminime të gjirit falas.

Po ashtu me insistimin e vazhdueshëm për një adresë brenda Kosovës ku gratë të prekura me kancer të gjirit mund të trajtoheshin, fatmirësisht në vitin 2011 ishte themeluar edhe instituti i parë onkologjik në Prishtinë.

Për gratë e reja të cilat hezitojnë të bëjnë kontrolle të gjirit, Nafija ka një porosi:

Nëse e zbuloni herët mbijetoni, nëse vonë, mund ta zgjatni jetën, po cilësia e jetës është shumë e dobët edhe shpenzimet për trajtim janë marramendëse.

Për fund, kjo është këshilla e Naifijes për të gjitha gratë: “Kujdesuni për veten, vetë-bëni kontrolle dhe kontrolle të rregullta vjetore, sepse zbulimi i hershëm është mbijetesë.”

Ajo sugjeron gratë të bëjnë kontrolle me ultrazë një herë në vit, në mënyrë që të përcjellin vazhdimisht gjendjen e gjinjve.

E falënderojmë shumë znj. Nafije për kontributin dhe angazhimin e saj për luftimin e kancerit të gjirit, si dhe për gatishmërinë për të ndarë përvojën e saj me ne.

Ndërsa lutemi që vetëdijesimin dhe kujdesin ndaj shëndetit tonë ta vazhdojmë çdo muaj, jo vetëm në muajin tetor. Në këtë mënyrë ne do ta pengojmë zhvillimin e qelizave kancerogjene në trupin tonë. 

Bashkohuni me ne që ta mposhtim kancerin e gjirit së bashku. E gjitha që duhet të bëjmë është të kujdesemi për veten tonë!