Për shkak të situatës së rënduar nga kriza energjetike që ka prekur edhe Kosovën, KEDS nën udhëzime të KOSTT, është obliguar të përipilojë një plan emergjent të kufizimit të energjisë elektrike për afërsisht dy orë, për të gjithë konsumatorët.

Përderisa KEDS po bën më të mirën që t’ju mbajë të informuar për orarin e këtyre kufizimeve, është shumë i nevojshëm bashkëpunimi i secilit prej nesh për ta tejkaluar sa më lehtë këtë situatë.

Orarin e kufizimeve të energjisë elektrike mund ta gjeni në uebfaqen e KEDS (kliko këtu) si dhe duke u regjistruar në aplikacionin eKesco (shkarko këtu), nëse tanimë nuk keni llogari në këtë aplikacion.

Pasi që të merrni informatën rreth kufizimit me energji elektrike në lokacionin tuaj, ju lusim që gjatë kohës sa nuk keni energji elektrike, sipas mundësisë t’i shkyçni pajisjet elektrike, veçanarisht sistemin e ngrohjes.

Kjo sepse në atë moment që ju rikthehet furnizmi me energji elektrike, për shkak të mbingarkesës në rrjet, mund të vie deri tek vonesa në kyçjen e daljes prej nga furnizoheni.

Po ashtu, kjo mund të ndikojë dëmtimin e aseteve energjetike e që do të krijonte edhe më shumë vonesa për shkak riparimeve dhe proceseve tjera që marrin kohë deri te energjizimi i aseteve.

Si duhet të veprohet gjatë kohës kur nuk keni energji elektrike?

Rikthimi i furnizmit të energjisë elektrike bëhet më lehtë kur nuk ka ngarkesa të madhe në sistemin elektro-energjetik.

Për të parandaluar dëmet nga mbingarkesat, ju lusim që gjatë kufizimeve të energjisë elektrike të bëni shkyçjen e pajisjeve elektrike, në veçanti sistemin e ngrohjes.

Pasi që rikthehet furnizmi me energji elektrike

Në mënyrë që të parandalohet mbingarkesa pas rikthimit të energjisë elektrike, sistemit elektro-energjetik i nevojitet pak kohë që të stabilizohet tërësisht, prandaj rekomandojmë që pas 10 deri në 15 minutash të filloni gradualisht t’i kyçni pajisjet tuaja elektrike.

Bashkëpunimi juaj po kërkohet për të mirën e përgjithshme, që energjia elektrike e munguar gjatë dy orëve të kthehet në orarin e planifikuar.