KEDS është duke bërë mirëmbajtjen dhe revizionimin e plotë të tensionit të mesëm të rrjetit distributiv, ku po shqyrtohen një nga një të gjithë largpërçuesit dhe po intervenohet aty ku paraqitet nevoja.

Kjo po bëhet që konsumatorët të kenë shërbime sa më kualitative dhe faktorët e jashtëm, sidomos ata atmosferikë, të kenë sa më pak ndikim në furnizimin me energji elektrike.

Meqë këtë vit na pret një dimër i vështirë sa i përket gjendjes energjetike, për shkak të çmimeve që po vazhdojnë të jenë në nivel rekord, përderisa edhe kërkesat janë në rritje, KEDS ka mobilizuar ekipet për të kryer mirëmbajtje dhe revizionim intensiv të rrjetit elektrik përgjatë tërë vendit.

Përmes realizimit të këtij plani parashihet të ulet numri i ndërprerjeve në rrjet nga faktorët atmosferik dhe nga mbingarkesat eventuale.

Gjatë kohës kur intervenohet nëpër dalje, ndërprerjet mund të jenë disa orëshe, pasi duhet të revizionohet komplet traseja e linjës përkatëse, dhe kjo merr kohë. Pasi që është e pamundur që të punohet nën tension për shkak të rrezikut, atëherë ndërprerjet e planifikuara janë të domosdoshme.

Për të përcjellur prditësimet më të fundit për punimet e planifikuara në rrjet, KEDS bën thirrje që konsumatorët të vizitojnë hartën e punimeve dhe të informohen nëse vendbanimi juaj do të afektohet nga punimet e planifikuara.

Konsumatorëve të afektuar nga këto punime në rrjet, ju kërkojmë mirëkuptim dhe i falenderojmë për durimin.