Vitin e ardhshëm pritet që KEDS të përfundojë komplet projektet investive të planifikuara për komunën e Drenasit dhe fshatrat e tij, dhe me këtë Drenasi do të përfitojë infrastrukturë të re energjetike dhe dyfishim të kapaciteteve.

Kostoja e gjithë këtij investim kap shumën e afër 10 milionë eurove, nga viti 2017 deri më 2022. Kjo u bë e ditur sot në takimin që u zhvillua në Komunën e Drenasit mes zyrtarëve të KEDS  dhe kryetarit të komunës, Ramiz Lladrovci me stafin e tij.

Kryetari Lladrovci u shpreh shumë i kënaqur për punën që ka bërë KEDS në komunën e tij dhe ndau mirënjohje për kompaninë.

Jam mirënjohës dhe shumë falënderues për punën që po bëni dhe do të keni përkrahjen dhe bashkëpunimin tonë,

tha Lladrovci. KEDS do të vazhdojë me punime edhe këtë vit , ku është paraparë të implementojë 25 projekte, pjesa më e madhe në fshatra, nga ku do të përfitojnë rreth 3000 konsumatorë, këtë e bëri të ditur Drejtori i Investimeve të KEDS, Hasan Oz, gjatë takimit.

“Kemi përfunduar komplet punimet në qendrën e Drenasit dhe tani do të fokusohemi në fshatra, gjithashtu fshatrat që janë me komunën e Drenasit,ndërsa furnizimin e kanë nga komunat tjera, me ketë investim furnizimi do t’ ju kthehet nga Drenasi. Kjo nuk do të ishte e mundur pa gatishmërinë dhe bashkëpunimin nga ana juaj, për çka ju falënderojmë shumë”, tha Drejtori Oz.

Ky është njëri ndër përkushtimet e  kompanisë për të qenë sa më afër konsumatorëve dhe për të realizuar premtimet e dhëna.