Për të arritur deri te shtëpia juaj energjia elektrike kalon nëpër një sistem kompleks. Së pari prodhohet, pastaj kalon nëpër linja të transimisionit, ku nëpërmjet transformatorëve kalon në linjat e shpërndarjes, dhe nga aty, nëpërmjet transformatorëve tjerë arrin te konsumatori si destinacion i fundit.

Për të ju ndihmuar ta kuptoni më mirë sistemin elektroenergjetik të Kosovës, ne kemi paraqitur procesin e zbërthyer në hapa. E gjitha fillon me prodhimin e energjisë elektrike dhe mbaron te konsumtori i fundit. Lexoni më poshtë për të kuptuar më shumë rreth kësaj teme.

 

1.  Gjenerimi: Koroporata Energjetike e Kosovës TC A & TC B dhe burimet e ripërtëritshme

Duke marrë parasysh që burimi kryesor i energjisë në Kosovë është linjiti, atëherë edhe gjenerimi i energjisë elektrike është i bazuar kryesisht në termocentralet e linjitit (TC A dhe TC B që menaxhohen nga KEK-u) dhe pjesërisht nga Burimet e Ripërtëritshme.

Kosova zë vendin e pestë në botë për rezervat e linjitit, që është resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, që furnizon pjesën më të madhe të prodhimit total të energjisë elektrike përmes “TC Kosova A e cila ka 3 blloqe aktive dhe TC “Kosova B me dy blloqe punuese”. Të dy këto termocentrale së bashku kapacitetin maksimal prodhues e arrijnë në rreth 900 MËh.

 

2. Transmisioni: Kulla dhe nënstacioni i transmisionit (KOSTT)

Operator i vetëm i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë është KOSTT. Ai është 100% në pronësi të Kuvendit të Kosovës.

Kjo ndërmarrje menaxhon Sistemin e Transmetimit të Republikës së Kosovës duke operuar me nivele të tensionit të lartë 400 kV, 220 kV dhe 110 kV.

Aktualisht, rrjeti i transmetimit të Kosovës lidhet me shtetet fqinje përmes shtatë linjave ndërkufitare.

Së fundmi, rrjeti energjetik i Kosovës ka dalur përfundimisht nga blloku rregullues me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut që nënkupton se Kosova tash e tutje do të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë, duke operuar si zonë rregulluese e pavarur brenda bllokut Kosovë-Shqipëri.

 

3. Distribuimi: Nënstacioni i distribucionit (KEDS)

Sa i përket shpërndarjes së energjisë elektrike, në Kosovë ekskluzivitetin e shpërndarjes e ka Kompania Kosovare e Distribuimit të Energjisë Elektrike (KEDS). KEDS bën shpërndarjen e energjisë elektrike deri te konsumatori i fundit, menaxhon dhe mirëmban asetet e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Në kuadër të KEDS janë të përfshira linjat e Tensionit të Mesëm 35 kV, 20kV dhe 10 kV së bashku me trafostacionet përkatëse. KEDS aktualisht ka mbi 600 mijë konsumatorë të shtrirë gjithandej vendit dhe rreth 2200 punëtorë të shpërndarë në 7 distrikte: (Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Pejë dhe Mitrovicë).

 

4. Furnizuesi

Furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike e mundësojnë furnizuesit e licensuar. Aktualisht, KESCO ka Obligimin e Shërbimit Publik të përcaktuar nga Rregullatori për të furnizuar konsumatorët me të drejtën e shërbimit universal. Konsumatorët të cilët furnizohen nga furnizuesit e licensuar janë: amvisëritë, komercial dhe industrial.

 

5. Konsumatori

Hallka e zingjirit të sistemit elektro-energjetik të Kosovës përfundon te konsumatori.

Institucionet kryesore përgjegjëse për menaxhimin e sektorit të energjisë në Kosovë janë: Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

 

Shih më poshtë paraqitjen ilustrative të këtij sistemi: