Të gjithë e dimë rolin esencial të gjakut në funksionimin e organizmit të njeriut dhe për këtë arsye ne duam të ndihmojmë në dhurimin e tij.  KEDS e fillon çdo vit me një aktivitet tejet human dhe tashmë me traditë shumëvjeçare në kompaninë tonë - atë të dhurimit të gjakut.

Në fillim të këtij viti, rreth 50 punëtorë të KEDS dhuruan gjak vullnetarisht në Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut në Prishtinë. Të gjithë vullnetarët u ndjenë shumë mirë për kontributin e tyre duke besuar që të kenë ndihmuar dikë në nevojë.

Grupi 0 është grupi më i kërkuar i gjakut anembanë spitaleve në botë, mirëpo meqenëse numri i vullnetarëve të KEDS ishte mjaft i madh, ata dhuruan grupe të ndryshme të gjakut, duke i plotësuar sadopak nevojat dhe kërkesat e mëdha për këtë lëng vital të jetës.

Gjaku është më se i nevojshëm për operacione dhe trajtimin e sëmundjeve të ndryshme dhe pacientë të ndryshëm mund të kenë nevojë për sasi të ndryshme të gjakut.

Sipas Kryqit te Kuq Amerikan një person që dhuron gjak mund të shpëtojë jetën e tre njerëzve të tjerë, andaj nëse ndjehemi mirë me shëndet pse të mos bëhemi shkaktarë të drejtpërdrejtë në shpëtimin e tri jetëve.

KEDS është gjithmonë afër dhe në ndihmë të komunitetit, andaj sensibilizimi ynë për dhurimin e gjakut to të vazhdojë gjithnjë edhe në të ardhmen.