
Gratë udhëheqëse të KEDS
Të zonjat e shumë të suksesshme, në krye të departamenteve më të rëndësishme të kompanisë të cilat kanë një rol të jashtëzakonshëm në sukseset e kompanisë, udhëheqëse që konkurrojnë dukshëm gjininë e kundërt, këto janë disa nga gratë që thyen barrierat dhe mbërritën majat e suksesit brenda KEDS-it
Teuta Ukshini është një tjetër grua shumë e suksesshme, e cila mundi të gjitha vështirësitë për t'u bërë kështu një nga drejtueset më të rëndësishme të kompanisë. Ajo tash e disa vjet drejton Departamentin e Kontabilitetit.
“Ishte një departament i vogël në fillim, por mësova dhe më ndihmoi shumë të zhvillohem profesionalisht”, thotë Teuta, teksa kujton plot nostalgji atë kohë.
Ajo tregon si i ngjiti shkallët e karrierës.
“Kam qenë me fat që krah meje kam pasur njerëz shumë profesional, që më kanë përkrahur, e kanë çmuar profesionalizmin dhe punën time, që mua më mundësoi të arrij deri këtu,” u shpreh ajo.
Sukseset dhe sfidat janë pjesë e çdo pune, sidomos kur fillon të ngjitesh në pozita më të larta dhe të marrësh më shumë përgjegjësi. Por, cilat kanë qenë më të mëdhatë për Teutën?
“Si sukses më të madh timin e konsideroj themelimin e Departamentit të Kontabilitetit, që përfshinte hartimin e procedurave interne, përgatitjen e pasqyrave financiare, etj”.
Suksesit i paraprin gjithnjë një rrugë e vështirë.
“Sfidat janë të përditshme, por më e madhja për mua ka qenë ndryshimi i mentalitetit të punëtorëve, adaptimi i tyre me ndryshimet dhe sistemin e ri. U tejkaluan me sukses”, thekson ajo.
Ajo vazhdon të jetë pjesë e KEDS pasi kompania i jep hapësirë të ushtrojë punën me profesionalizëm të vërtetë dhe ta zhvillojë veten.
“Mos u ankoni, por punoni shumë për t’u zhvilluar personalisht dhe profesionalisht. Gratë meritojnë të jenë të dëgjuara jo për shkak të gjinisë, por për shkak të kontributit në shoqëri”, jep mesazhin ajo.
Naxhije Pajaziti- Arifaj është një tjetër drejtoreshë e suksesshme e cila udhëheq me një nga departamentet më të rëndësishme të KEDS-it, atë të Komunikimeve me Media dhe Publik.
Naxhija flet për përvojën e saj dhe si ka arritur deri këtu, sfidat, por edhe për sukseset më të mëdha.
“Asnjëherë asgjë nuk merret falas. Arritja deri te suksesi është një luftë e vazhdueshme që mund ta fitosh me përkushtim, më shumë punë dhe përsëri e përsëri vetëm me punë, pa u ndalë, pa u zmbrapsur, pa u dorëzuar! Pasioni për profesionin, për punën që bëj, këmbëngulja dhe vullneti i fortë, më kanë sjellë deri këtu,” thotë ajo.
As Naxhija nuk e kishte rrugëtimin e lehtë.
“Rritja e përgjegjësisë dhe marrja e detyrave të reja vështirësonin balancin në mes të punës dhe familjes, e që duhej përkushtim i madh për të dyja anët, gjë që kërkonte shumë fleksibilitet për të drejtpeshuar karrierën me jetën familjare, por që asnjëherë nuk e kam ulur ambicien për karrierë, duke e tejkaluar me sukses këtë sfidë”, thotë Naxhija.
Ajo sukseset ia dedikoi ekipit të saj, pa të cilin çdo gjë do të ishte e pamundur.
Ajo jep edhe një mesazh të fuqishëm për gratë, që ato të mos dorëzohen dhe të luftojnë për veten e tyre.
“Nuk ka rëndësi ku shkoni dhe çfarë bëni, kurrë mos hiqni dorë nga dëshirat dhe ambiciet tuaja. Çdo herë duhet të keni vetëvlerësim të fortë dhe respekt për veten. Çdo mëngjes kur të zgjoheni dhe çdo natë kur të flini, kujtojani vetes sa të mira dhe sa të forta jeni. E këtë çdoherë përcilleni edhe te çdo vajzë që takoni”, përfundon ajo.
Valbona Kadrijaj një grua që falë punës së saj, pra angazhimit, përkushtimit e profesionalizmit, sot drejton një nga departamentet më të rëndësishme të KEDS-it, Departamentin e Burimeve Njerëzore.
Rrugëtimi drejt një karriere të suksesshme gjithmonë është i vështirë sidomos për gratë. Por, si arriti deri këtu Valbona?
“ Dëshira për të mësuar gjëra të reja, duke qenë e hapur ndaj ndryshimeve, duke bashkëpunuar me të tjerët, duke marrë pjesë në projekte vendore dhe ndërkombëtare, ka qenë motiv që më ka udhëhequr gjatë gjithë kohës. Këto të arritura kanë vetëm një adresë: Punë, përkushtim angazhim dhe bashkëpunim me të tjerët”, thotë ajo.
Duke qenë një grua me një karrierë kaq të madhe, Valbona flet edhe për vështirësitë, sukseset dhe rrugëtimin e saj deri këtu.
“Sfida më e madhe gjatë përvojës sime ka qenë dhe mbetet edhe më tutje mos- gatishmëria e njerëzve për të mësuar gjëra të reja dhe për t’u zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme. Suksesi më i madh gjatë karrierës sime mund t’i atribuohet kontributit tim në zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme dhe profesionale. Duke ndërtuar sisteme ndihmojmë përfshirjen e njerëzve në proces, dhe me këtë ne i bëjmë të ndihen të çmuar dhe të vlerësuar për kontributin e tyre. Me qëllim të arritjes së synimeve të përbashkëta kontributi i secilit është më se i nevojshëm”, shprehet ajo.
Mundësitë e dhëna si dhe vlerësimi i punës së saj, janë disa nga arsyet që ajo edhe më tutje vazhdon të jetë pjesë e KEDS-it.
“Funksionet dhe përgjegjësitë e pozitës që unë mbaj, janë një motiv shumë i madh për mua. Mundësia që më është dhënë dhe kontributi që unë jap për kompaninë dhe punonjësit e saj, është gjëja që më bënë të ndihem e vlerësuar dhe e çmuar. Në kompaninë ku unë punoj në vazhdimësi dëgjohet mendimi dhe zëri im. Kjo i jep vlerë punës sime për çka edhe vazhdoj të punoj në KEDS”, thotë ajo.
Dhe, cili është mesazhi i njërës nga drejtoreshat më të suksesshme të KEDS-it, për gratë tjera?
“Ti besojnë vetes, të jenë vetvetja, të jenë pjesë dhe shtytëse e proceseve pozitive. Të jenë shembull dhe model për të rejat.
Duke qenë vetvetja, duke besuar vetes kontributin në ndryshimet për të mirën e përgjithshme, është porosia që unë mund ta dërgoj te të rejat të cilat synojnë të ndërtojnë një karrierë të suksesshme.” përfundoi ajo.