Në hyrje të Krushës së Madhe një fabrikë e re ka filluar të marrë formë. Ajo tashmë është në fazat e fundit të ndërtimit dhe së shpejti aty pritet të fillojë puna e grave të Krushës, të cilat me produktet e tyre kanë arritur të depërtojnë edhe në tregun ndërkombëtar. Tash e tutje aty do të ketë furnizim më kualitativ me energji elektrike.

Kjo, pasi KEDS ka përfunduar një projekt investiv atje.  Është vendosur një trafo tërësisht e re së bashku me të gjitha stabilimentet përcjellëse dhe rrjet i ri nëntokësor, që do të ofrojë kapacitetet e nevojshme energjetike për operim të rregullt të kooperativës “Gratë e Krushës”. Ky investim ka gëzuar tej mase edhe gratë e Krushës, të cilat tash e disa vite përmes produkteve që shesin, gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre. Drejtoresha e kooperativës “Gratë e Krushës”, Fahrie Hoti, ka thënë se falë përkrahjes së KEDS është rritur siguria në furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, që sipas saj, do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në punët e tyre ditore.

“Ne kemi filluar ndërtimin e fabrikës se re që pritet së shpejti të funksionalizohet. Për ne, primare ka qenë sigurimi i energjisë elektrike atje, në mënyrë që punët ditore t’i realizojmë pa vështirësi. Duke e falënderuar KEDS-in, fabrika tashmë ka një trafo të re që do të ofrojë kapacitetet e nevojshme për operimet tona”, ka thënë Hoti. KEDS po vazhdon me investime në rrjetin energjetik çdo ditë anekënd Kosovës, që tregon përkushtimin e kompanisë për përmbushjen e premtimeve dhe vendosmërinë për të qenë afër konsumatorit për t'i mbështetur aty ku është nevoja.