KEDS Academy ka nisur ligjëratat me gjeneratën e tetë me radhë. 

Sivjet, programin profesional dhe akademik 1- vjeçar do ta ndjekin 61 kandidatë,  të cilët vijnë me profile të ndryshme nga vende anekënd Kosovës.

Kandidatët e përzgjedhur i përgëzoi edhe Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS, Alper Erbas, i cili iu uroi mirëseardhje. Ai tha se suksesi i dëshmuar nga kandidatët do të hapë mundësi të reja për ta.

“KEDS Academy është një rrugëtim që do të sjell përvoja të reja për secilin nga ju. Krahas mundësive për përgatitje profesionale, ju do të trajnoheni nga ligjërues profesionistë dhe të kualifikuar brenda KEDS dhe Bogaziçi University në Stamboll”, tha Erbas.

Ai theksoi se përmes KEDS Academy kandidatët do të kenë mundësi edhe punësimi në KEDS.

“Qëllimi i programit është të krijohen liderë të së nesërmes. Sot, në KEDS ka udhëheqës të shkëlqyeshëm të cilët kanë dal nga akademia. Kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për ju, që krahas marrjes së përvojave dhe ekspertizës vendore dhe ndërkombëtare, ju të keni mundësi të inkuadroheni në tregun vendor", shtoi Erbas.
Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit për shkak të situatës pandemike, kandidatët programin do ta ndjekin virtualisht, nga distanca duke respektuar udhëzimet e institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes se Covid-19.

Deri më sot, përmes këtij programi janë aftësuar dhe certifikuar rreth 350 studentë të cilët kanë dalë nga 7 gjenerata të KEDS Academy. Një numër i madh prej tyre janë të punësuar në KEDS duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e mëtutjeshëm të kompanisë.