Edhe pse kryesisht përmes platformave online, pjesa teorike e programit KEDS Academy ka përfunduar me sukses.

“Siguria dhe Shëndeti në Punë” ishte tema e parë që nxënësit nisën mësimet të zhvilluara nga Burim Islami, menaxher i Zyrës për Siguri dhe Shëndet në Punë & Mjedis në KEDS. Ky rrugëtim profesional për 60 kandidatët (40 studentë dhe 20 nxënës) e përzgjedhur filloi në janar të këtij viti dhe po vazhdon edhe sot.

Përveç ligjëratave të mbajtura në mënyrë virtuale, grupe të vogla studentësh kanë mbajtur ligjërata edhe në Qendrën e Trajnimeve të KEDS, që gjendet në Drenas të Prishtinës. Në këtë qendër studentët e kanë mundësinë që t’i shohin për së afërmi se si operojnë stabilimentet dhe pajisjet e tjera elektrike.

Meqenëse pjesës teorike të programit i erdhi fundi shumë shpejt, tema e modulit për ligjëratën e fundit të mbajtur ishte “Siguria kibernetike“(Cyber Security), ligjëruar nga Prof. Dr. Bilgin Metin, nga univeristeti Boğaziçi të Stambollit.

Ndër studentët të cilët përcollën mësimet online ishin edhe Amir Hetemi, Blerta Vitija, Festim Bublaku, Donikë Jupaj, Gresa Popova, Ardit Dragusha etj. Ndër të tjera, nxënsja Gresa Popova, nga gjenerata e tetë tha për KEDS Academy:

I jam mirënjohëse dhe falënderuese KEDS-it për këtë mundësi të dhënë dhe për këtë profesionalizëm me ligjërues me kaq përvojë.

Ndërsa edhe Ardit Dragusha tha se ligjërata ishte mjaft produktive, duke vlerësuar punët në grupe që janë zhvilluar gjatë ligjëratës.


Studentët të cilët janë sistemuar nëpër departamente të ndryshme të KEDS, sot filluan pjesën praktike. Kurse nxënësve KEDS ua mundëson që praktikën ta mbajnë në zyrat e KEDS të ndodhura nëpër komunat nga ata vijnë.

Nëpërmjet programit KEDS Academy, të rinjtë mbi të gjitha zhvillojnë aftësi për t’u bërë udhëheqës të ndërgjegjshëm dhe të suksesshëm të së nesërmes, jo vetëm në fushën e energjetikës por edhe në komunitet.

Deri më sot, përmes këtij programi janë aftësuar dhe çertifikuar rreth 350 studentë dhe nxënës te ardhur nga vende të ndryshme të Kosovës. Një numër i madh prej tyre janë të punësuar në KEDS dhe luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e mëtutjeshëm të kompanisë.