KEDS dhe Q’art gjatë muajit mars kanë vazhduar me realizimin e megaprojektit Art n’trafo, që këtë vit ka mbuluar temën për fuqizimin e gruas në vend, njëkohësisht duke krijuar hapësira të artit bashkëkohor nëpër 7 qytete përkatëse.

Pra, punimet artistike në këtë edicion të projektit Art n'trafo, nuk kanë shërbyer vetëm si figura dekorative, por edhe si mjete për të përçuar mesazhin e barazisë dhe fuqizimit të gruas në vend.

Me punime të ndryshme nga artistë të rinj, kryesisht vajza të reja, ky projekt është realizuar në 7 qytete të ndryshme të Kosovës.

Mesazhet janë përcjellë në qytetin e Ferizajt, Mitrovicës, Pejës, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit dhe Prishtinës.

“Bashkë më të forta” është mesazhi i bartur në trafon e ngjyrosur në Mitrovicë, që do të përcillet te të gjithë qytetarët dhe kalimtarët që e shohin këtë vepër artistike.

Ndërsa, njëra ndër artistet që ka kontribuar në realizim të projektit është edhe artistja zvicerane Krystel Suire, e njohur me nofkën “Stern”, e cila punon në Kosovë tash e tre vjet. Ajo, teksa po ngjyroste trafostacionin në qendër të Prizrenit, përmes artit po theksonte mesazhe të shumta që ngrenë zërin e gruas kosovare dhe bën që ai të jehojë.

“Ne e kemi si qëllim të vëmë në pah fuqinë e gruas edhe të tregojmë që gratë mund të bëjnë çfarë të duan në jetë. Më pas edhe pasionet apo punën si burrat. Ne gratë kemi fuqi shumë. Edhe ky është qëllimi për këto trafo...Vetëm për të treguar që jemi barabartë dhe nëse e kemi vullnetin mund të bëjmë njëjtë si burrat”, thekson artistja zvicerane.

Edhe artistja Renea Begolli i është bashkuar kësaj iniciative, me qëllim të fuqizimit të rolit të gruas në shoqëri.

“Ideja ime ka qenë që përpos temës të sjellim pak ngjyrë, me pru pak jetë, një energji të mirë. Pra, t’i japim jetë edhe lagjes duke intervenuar në një hapësirë publike dhe në të njëjtën kohë t’i bashkëngjitemi temës që u ngrit gjatë këtij muaji. Marsi është muaji që flet më shumë për fuqizimin e gruas, gjë që e bëra edhe unë duke iu bashkuar kësaj iniciative”, thotë ajo, teksa po e gjallëronte një trafostacion në lagjen Tophane të Prishtinës.

Ky projekt realizohet në kuadër të Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës, në kuadër të aktiviteteve që KEDS realizon për komunitetin. Përderisa, KEDS ka kthyer në traditë këtë projekt, pasi që deri më tani janë ngjyrosur 27 trafo në të gjithë vendin.