Kursimi i energjisë elektrike është një shprehi që duhet ta ketë vëmendjen e të gjithëve, sidomos tani kur shumë shtete, përfshirë edhe Kosovën, gjenden në një krizë energjetike të paprecedent.

Por, për të arritur që të kursejmë energji, ne duhet të fillojmë të jemi më të vëmendshëm në baza ditore për mënyrat se si e përdorim energjinë në shtëpinë tonë.

Në KEDS kemi filluar me fushata të kursimit të energjisë për më shumë se një vit dhe vazhdimisht po sjellim para jush praktika specifike të kursimit që i kanë aplikuar punëtorët tanë në shtëpitë e tyre.

Një shembull i përkryer i kursimit mbi 300 kWh për një muaj është Dritan Ferati, Udhëheqës i Qendrës Dispeçerike. Ai përmes një videoje na jep këshilla të detajuara dhe shumë praktike të kursimit të energjisë elektrike.

“Kursimi i energjisë ka qenë shumë i thjeshtë vetëm duke i zbatuar të gjitha rekomandimet nga kompania. Së pari kam zëvendësuar të gjithë poçet me tel me poçe ekonomike, pastaj i kemi fikur dritat ku nuk ka nevojë me qenë të ndezura, etj. “

Si mënyrë tjetër të kursimit mbi 300 kWh, z. Ferati ka përmendur rekomandimin e ekspertëve të kursimit të KEDS, që të ndalet furra elektrike disa minuta para procesit të pjekjes, kjo sepse furra është veçse e nxehtë dhe mjafton për ta kompletuar pjekjen e ushqimit. Ndërsa sa i përket zvogëlimit të shpenzimeve financiare, ai ka përmendur që të kihet parasysh tarifa e ulët dhe pajisjet që shpenzojnë më shumë energji, të përdoren më shumë gjatë kësaj tarife.

Sipas ekspertëve të KEDS, rreth 19% e shumës totale të faturës tuaj mujore shkon për përgatitjen e ushqimit në shtëpi. Për më tepër ata thonë se “nëse mesatarisht përdorni pajisje për zierje dhe pjekje rreth 1 orë e 30 minuta në ditë, shpenzimin mujor do të jetë 137 kWh”.

“Ju sugjeroj të gjithëve të ju t’u përmbaheni rekomandimeve të kompanisë KEDS, se janë efektive, kursejnë xhepin, kursejnë rrymën,” u shpreh z.Ferati.

Megjithëse ndryshimet e vogla në rutinën tuaj sa i përket kursimit të energjisë mund të duken të parëndësishme, hapat e vegjël shndërrohen në ndryshime të mëdha kur të gjithë japim kontribut të vazhdueshëm.

Për ta bërë krahasimin e shpenzimeve ndërmjet muajve, ju mund ta shkarkoni aplikacionin eKesco, ku mund t’i gjeni të gjitha të dhënat e pasqyruara edhe përmes grafikeve.

Të gjithë nga pak bëhet mjaft!