Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), pas kalimit në pronësi private filloi operimet në vitin 2013. Rrjeti elektrik ishte në gjendje të rëndë, pothuajse pa asnjë investim domethënës  për dekada me radhë.

Që nga atëherë, KEDS ka investuar 209 milionë euro deri në fillim të vitit 2022, duke realizuar afro 2000 projekte përmes kompanive kontraktuese apo përmes ekipeve të veta të mirëmbajtjes.

Investimet filluan në maj të vitit 2013, kur u bë privatizimi. Në shkurt të atij viti, disa javë para se të transferohej pronësia, mijëra qytetarë kishin protestuar ndaj kompanisë publike për dyshime në lexim jo të rregullt të shpenzimeve të tyre.

Me të marrë përgjegjësinë, KEDS digjitalizoi procesin e leximit dhe faturimit të konsumatorëve përmes pajisjeve Hand Held Unit.

Paralelisht vazhdoi me vendosjen e njehsorëve digjitalë. Ky proces kishte filluar para privatizimit por u intensifikua me ardhjen e KEDS, dhe deri më sot janë vendosur mbi 546 mijë njehsorë digjitalë në total, nga 660 mijë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë njehsorë SMART me komandim dhe lexim nga distanca.

Ndryshime të mëdha nga investimet ka pasur edhe në operimin e rrjetit të shpërndarjes. Para privatizimit operimet në rrjet realizoheshin manualisht. KEDS instaloi sistemin SCADA për komplet rrjetin e tensionit të mesëm dhe duke mundësuar monitorimin, komandimin dhe mbledhjen e të dhënave për të gjithë rrjetin e shpërndarjes nga distanca përmes këtij sistemi kompleks digjital SCADA.

Paralelisht KEDS funksionalizoi edhe programin e quajtur Kosovanet, që shërben për monitorimin dhe menaxhimin e të gjitha ngjarjeve që ndodhin në rrjetin e shpërndarjes në kohë reale duke mundësuar menaxhimin digjital të tërë infrastrukturës të rrjetit të shpërndarjes dhe fuqisë punëtore.

Të ballafaquar me rritje të vazhdueshme të konsumit të energjisë elektrike për çdo vit dhe jo-përshtatshmëri e rrjetit ekzistues të tensionit të mesëm krahas ngarkesës së zhvilluar në shumë zona, KEDS konvertoi për herë të parë në Kosovë nivelin e shpërndarjes së tensionit 20 kV, që është i përshtatshëm me kërkesat e larta për energji në shumë zona të zhvilluara urbane dhe rurale.

Fillimisht u ndërtuan 4 linja komplet të reja të nivelit 20 kV si pjesë e pilot-projektit fillestar. Kur kjo funksionoi në mënyrë optimale, atëherë KEDS vazhdoi me transformimin e nivelit të tensionit edhe në rajonet tjera nga 10 në 20kV. Sot, pjesa më e madhe e Prishtinës operon në këtë nivel, duke e shndërruar një pjesë të konsiderueshme të linjave nga 10kV në 20kV. Pra, dyfishim i kapaciteteve shpërndarëse që përballoi mbingarkesat, sidomos gjatë dimrit.

Një sistem i tillë i shpërndarjes në nivelin 20kV po adoptohet edhe në qendrat e qyteteve tjera, dhe në pesë vitet e ardhshme parashihet të bëhet ky transformim në secilën pjesë të vendit, ku potencialisht mund të paraqitet ndonjë mbingarkesë.

Kjo, pasi pjesa më e madhe e linjave që po transformohen në këtë nivel të tensionit përfshijnë numër të madh të konsumatorëve dhe kërkesë të lartë për energji elektrike.

Investimet dhe avancimi i shërbimeve ka rritur ndjeshëm besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike, duke kontribuar në sigurinë e përgjithshme të furnizimit me energji elektrike. Se është bërë përparim i madh në sigurinë e furnizimit me energji elektrike në rrjetin shpërndarës, tregojnë edhe indekset e besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike SAIDI dhe SAIFI.

Këto indekse janë parametra që përcaktojnë se sa është përmirësuar furnizimi me energji elektrike në nivel vendi te konsumatorët fundorë. Për më tepër, indeksi i mesatares së frekuencës së ndërprerjeve në sistem (SAIFI) gjatë operimeve të KEDS-it është ulur për 64 për qind, ndërsa indeksi i kohëzgjatjes së përgjithshme të ndërperjeve (SAIDI) në nivel vendi është ulur për 70 për qind.  

Investimet në rrjetin distributiv kanë dhënë rezultate edhe në zvogëlimin e humbjeve.

KEDS e mori përsipër operimin e rrjetit me humbje totale në rrjet në nivelin 31 për qind. Sot, 9 vjet pas, ato kanë rënë në 18%. Brenda periudhës afatmesme pesëvjeçare kemi objektiv që të jenë në mesataren e rajonit. Për të arritur aty, është duke u investuar anekënd Kosovës, në të dy nivelet e tensionit që ka kompania nën menaxhim, si atij të ulët ashtu edhe atij të mesëm.

Por, dy vitet e fundit ishin mjaft të rënda në arritjen e këtij objektivi. Fillimisht pandemia, e më pas kriza energjetike e vështirësuan tej mase këtë.

Duke qenë kompani e rregulluar, KEDS u godit keq financiarisht nga tarifat e ulëta të energjisë elektrike, të cilat pas dhjetëfishimit të çmimeve në berzat ndërkombëtare e bënë kompaninë  insolvente. Ndikim të madh ka edhe fakti që Kosova është vend neto importues dhe nevoja për import rritet shumë pikërisht gjatë dimrit. Kërkesa për rritje të tarifave u hodh poshtë nga rregullatori, me arsyetimin se çmimet në tregun ndërkombëtar janë spekulative dhe do të bien. U injorua edhe paralajmërimi ynë qysh në gusht 2021 që çmimet janë jo të zakonshme. Vonesa për disa muaj në reagim solli shterimin financiar të kompanisë.

Por, në vigjilje të vitit 2022 gjendja ndryshoi për të mirë pasi shumë parametra lëvizën pozitivisht. Ndodhi subvencionimi i çmimit nga ana e Qeverisë së Kosovës, ra ndjeshëm çmimi në berzat ndërkombëtare, ndërsa rregullatori rriti çmimin fundor për pjesën e konsumit nga importi.

Nga këto ndryshime, KEDS-it iu krijua edhe mundësia që të vazhdojë tutje me projekte investuese.

Në fokus kryesor ka optimalizimin e operimeve të rrjetit, rritjen e kënaqshmërisë së konsumatorëve dhe përshtatjen e tij për prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme. Në këtë pikë, KEDS ka krijuar departamentin e veçantë për adresimin e secilës kërkesë nga prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme dhe me avancimin e kushteve të përgjithshme për komplet këtë sektor.

Kompania e merr me seriozitetin më të lartë zhvillimin e këtij tregu, përderisa aty punojnë ekspertë të specializuar në SHBA. Ky ekip takohet në mënyrë të vazhdueshme me bizneset e interesuara për investim në energjinë e ripërteritshme dhe vepron në bazë të kërkesave të tyre.

Lidhur me këtë sektor, KEDS ka investuar edhe në disa linja të veçanta, të ndërtuara enkas për operimin e kompanive gjeneruese.

Ky nuk është veprimi i vetëm që ka ndërmarrë kompania sa i përket bizneseve. Kosova ka një ekonomi të brishtë dhe biznes-bërja e ballafaquar me shumë probleme edhe infrastrukturore, duhet të mbështetet në mënyrë të vazhdueshme që të funksionojë më mirë dhe të zhvillohet tutje.

Para 9 vjetësh, në raportet Doing Business të Bankës Botërore, problemi i energjisë elektrike radhitej gjithmonë në vend të parë në Kosovë nga bizneset. KEDS orientoi investimet edhe në zonat e bizneseve.

U zgjeruan kapacitetet në shumë prej tyre, përderisa në disa linja që përfshijnë qindra biznese, linjat elektrike u rehabilituan apo u zëvendësuan me komplet të reja. Siguria e ofrimit të shërbimeve të energjisë elektrike u bë prioritet dhe kjo solli ndryshime të mëdha. Viteve të fundit, problemi i energjisë elektrike për bizneset ka kaluar nga problemi kryesor në problemin numër tetë.

Por, optimalizimi i infrastrukturës së rrjetit elektrik duhet të vazhdojë edhe në vitet në vijim për të siguruar shërbime në standardeve më të larta. Pikërisht për këtë, KEDS po e përgatit planin pesëvjeçar të zhvillimit të rrjetit distributiv.

Ky plan, tejkalon avancimin e bërë përmes mirëmbajtjes, zgjerimit të kapaciteteve dhe standardizimit të nivelit të tensionit. Ai merr parasysh në pjesën më të madhe zhvillimin e lokaliteteve.

KEDS është duke punuar në koordinim të plotë me të gjitha komunat e Kosovës që të përshtatë prioritetet e tyre zhvillimore, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe të zgjerimit të vendbanimeve në bazë të planeve urbanistike.

Si përfundim mund të thuhet që rrjeti distributiv i Kosovës ka kaluar në fazën e modernizimit dhe përmirësimit dekadën e kaluar. Ndërkohë, deri në fund të dekadës aktuale do të orientohet në finalizimin e digjitalizimit, përshtatjen e tij për energji të rinovueshme, transformimin dhe zgjerimin në bazë të kërkesave nga qytetarët dhe bizneset si preventivë infrastrukturore e urbanizimit të lokaliteteve.

Ky artikull fillimisht është shkruar për revistën Horizon të AmCham.