KEDS ka shënuar Javën Evropiane për Shëndet dhe Siguri në Punë. Përgjatë pesë ditëshit janë shënuar disa aktivitete brenda dhe jashtë kompanisë. Disa nga këto aktivitete që i prezantuan punëtorët e KEDS-it janë pajisjet personale mbrojtëse, operimi në stabilitet e tensionit të mesëm dhe të ulët, përdorimi i indikatorit, ngritja e shtyllës së drurit, betonit, ngritja e trafo shtyllës, shkyçja dhe kyçja e njehsorit elektrik, etj.

Aktivitet tjetër ishte intervista në Radio Televizionin e Kosovës, ku Burim Islami Menaxher për Siguri dhe Shëndet në Punë së bashku me fëmijët kanë diskutuar rreth sigurisë nga energjia elektrike. Fëmijët poashtu patën mundësi të marrin fletushkën me këshilla për siguri për fëmije, prodhim ky i KEDS.

Me moton "Rinia në punë-Siguria e para" ekspertët e kompanisë kanë filluar ligjërimin në shkollat e mesme teknike profesionale gjithandej vendit për sigurinë në punë. Kjo është realizuar në kuadër të Javës Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë ndërsa qëllimi i këtyre aktiviteteve është që të ngritet vetëdijesimi i shoqërisë rreth sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.

KEDS është kampione e organizimit të sigurisë dhe shëndetit në punë, duke bërë avancime gjigante gjatë viteve të fundit, duke trajnuar e certifikuar në atë aspekt secilin punëtor të terrenit me moton: 0 aksidente në punë. Si rrjedhojë, kompania ka krijuar një ekip profesionistësh, një Qendër Moderne të Trajnimit e cila po merret shembull madje edhe nga vendet e rajonit.