KEDS njofton se në Malishevë ka filluar një prej fazave më të rëndësishme të modernizimit të rrjetit elektrik: konvertimin e linjave të tensionit të mesëm nga 10 kV në 20 kV. Ky proces dyfishon kapacitetet bartëse të rrjetit dhe përbën avancim të madh teknik që pritet të rrisë ndjeshëm cilësinë dhe stabilitetin e furnizimit me energji elektrike për të gjithë komunën. Ky investim është pjesë e planit afatgjatë të kompanisë për modernizimin e rrjetit elektrik në mbarë vendin.

Ky hap i ri ndërtohet mbi projektet strategjike të kryera gjatë viteve të fundit. Vitin e kaluar, KEDS ka instaluar superpërçuesin në linjën 35 kV Rahovec–Malishevë, duke rritur ndjeshëm kapacitetin e transmetimit dhe stabilitetin e rrjetit rajonal. Investimi i tanishëm në 20 kV e çon Malishevën në nivel të ri teknik, duke e bërë rrjetin lokal dukshëm më të fortë dhe më të qëndrueshëm.

Megjithatë, duhet theksuar se kapaciteti i përgjithshëm i furnizimit në Malishevë varet drejtpërdrejt edhe nga infrastruktura e KOSTT-it, konkretisht nga Nenstacioni i ri 110/35/10 kV Malishevë, i cili ende nuk është përfunduar. Derisa ky nenstacion të hyjë në operim, burimi kryesor furnizues i Malishevës mbetet i kufizuar.

Para investimit të KEDS-it në linjën e re 35 kV (me ACCC), Malisheva ishte e kufizuar në rreth 20 MW furnizim. Gjatë dimrit të kaluar, ngarkesa arriti në 35 MW, duke treguar qartë se zona tashmë është afër kufijve teknikë të kësaj linje të re. Gjithashtu, gjatë këtij viti, numri i Pelqimeve Elektroenergjetike dhe konsumatorëve të rinj është rritur dukshëm, duke gjeneruar presion shtesë në rrjet, sidomos gjatë sezonit të dimrit kur kërkesa rritet në mënyrë të konsiderueshme.

Pra, Malisheva ka arritur kapacitetin maksimal të mundshëm të strehimit nga ana e KEDS-it pa investimet shtesë nga KOSTT-i. Si Operator i Shpërndarjes, KEDS ka kryer të gjitha përmirësimet e mundshme në rrjetin e tensionit të lartë dhe të mesëm, përfshirë këtë fazë finale të konvertimit në 20 kV, e cila ofron rritje të kapaciteteve. Por për shkak të rritjes së shpejtë të konsumit në Malishevë, asnjë operator nuk mund të garantojë furnizim të pakufizuar derisa të përfundojë Nenstacioni i ri i KOSTT-it.

Sa i përket raportimeve në disa media dhe pretendimeve të disa banorëve, KEDS sqaron se furnizimi në Malishevë është stabil dhe nuk ka probleme të përgjithshme. Çështja e raportuar lidhet me tre blloqe të reja banesore, ku investitori nuk ka përfunduar punimet e brendshme teknike sipas standardeve të parapara, duke shkaktuar mbingarkesa të lokalizuara dhe shpërthim të siguresave. Situata është e izoluar dhe nuk ka lidhje me rrjetin e Malishevës në tërësi.

KEDS mbetet e përkushtuar të ofrojë shërbime të sigurta, të qëndrueshme dhe cilësore për qytetarët e Malishevës dhe të Kosovës, duke vazhduar investimet dhe komunikimin transparent për çdo zhvillim apo sfidë teknike në rrjet.