Ngjarja "Një Kosovë, ku profesioni nuk njeh gjini” u organizua me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, nën ombrellën e Ministrisë së Ekonomisë dhe u mbajt dje në ambientet e Kino Armatës në Prishtinë, nga ora 12:00 deri në 14:00.

Në këtë ngjarje janë organizuar një numër i fjalimeve nga gra e vajza të sektoreve, të cilët i mbulon Ministria e Ekonomisë si Energjia dhe sektore të tjera.

Për të treguar storien e suksesit përmes një fjalimi motivues dhe individual e ftuar në panel ishin edhe Drejtoresha për Cilësi, Siguri dhe Trajnime, Valbona Kadrijaj nga KEDS, e cila tha:

"Vajzat duhet të besojnë te vetja, të mësojnë më shumë dhe t’i largojnë paragjykimet. Fatmirësisht, përqindja e vajzave po rritet edhe nga programet tona, siç është KEDS Academy. Me përfundimin e programit vajzat kanë pasur mundësi të zhvillojnë karrierën profesionale. Ato, me përvojën e fituar në kompani, kanë arritur të promovohen në pozita udhëheqëse." 

Pjesë e panelit ishte edhe Drejtoresha e Departamentit për Shërbim ndaj Konsumatorit, Tarifa dhe Çështje Rregullative në KESCO, Rudina Heroi – Puka, e cila në lidhje me temën theksoi:

“Ne duhet t’i motivojmë dhe t’i përkrahim vajzat që të zgjedhin profesione të tilla, duke filluar prej familjes. Unë si model e kam pasur nënën time (Shqipe Luzha Heroi), si inxhinierja e parë e mekanikës në Kosovë. Unë besoj fuqishëm se ne më së shumti inspirohemi nga njëra-tjetra.” 

Qëllimi i mbajtjes së kësaj ngarjeje është nxitja e pjesëmarrjes së grave në sekorët që tradicionalisht dominohen nga burrat dhe mbështetja e grave në profesione të tilla, përmes mentorimit dhe programeve mbështetëse.