Rrjeti i ri elektrik i implementuar nga KEDS ka përshkuar gjithë fshatin Lubovec të Skenderajt, duke i dhënë këtij fshati kodrinor një pamje të re dhe të bukur. Nga ky investim i KEDS-it do të përfitojnë  edhe disa fshatra të tjera përreth.

Në kuadër të këtij projekti investiv, në këto lokalitete KEDS ka vendosur tre transformatorë, bashkë me stabilimentet e tjera të nevojshme. Gjithashtu, shtyllat e vjetra, të cilat gjendeshin në terrene të papërshtatshme, janë hequr dhe zëvendësuar me mbi 170 sosh të tensionit të mesëm dhe të ulët, të vendosura tashmë buzë rrugës kryesore në një gjatësi degëzimesh prej rreth nëntë kilometrash. Vlera totale e këtij projekti kap shifrën rreth 150 mijë euro. Me këto punime, KEDS-i ka plotësuar të gjitha nevojat energjetike për afër 160 familje, duke rritur sigurinë për konsumatorët e kësaj treve. Ata tashmë nuk do të përballen me hallet e moçme që kishin me energjinë elektrike.

KEDS po vazhdon me investime në rrjetin energjetik jo vetëm në zonën e Drenicës, por anekënd Kosovës, çka tregon përkushtimin e kompanisë për përmbushjen e premtimeve dhe vendosmërinë për të qenë afër konsumatorit për të mbështetur atë aty ku është nevoja.

Sipas planit investiv njëvjeçar, përgjatë vitit 2024 KEDS parasheh implementimin e 250 projekteve kapitale, vlera e të cilave është disa dhjetëra milionë euro.