Informata sqaruese në lidhje me disa nga zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, në kohën kur vendi po ballafaqohet me krizën energjetike ndërkombëtare.

1.    Çmimi i energjisë elektrike në vend, ngritja e tarifave
Përderisa çmimet e produkteve si mielli, buka, vaji, nafta dhe shumë të tjera përcaktohen sipas parimeve dhe rregullave të tregtisë së lirë dhe konkurrencës, e cila nënkupton se tregtaret janë ata të cilët i përcaktojnë ato, në anën tjetër, çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët e lidhur në nivelin e tensionit të shpërndarjes, aktualisht përcaktohen nga rregullatori shtetëror i energjisë.
Përderisa çmimet e produkteve të tjera mund të kenë ngritje apo zbritje të çastit, varësisht nga parametrat e tregut dhe fitimet e dëshiruara të tregtarëve, çmimet e energjisë elektrike për këta konsumator nuk mund të ndryshohen (rriten e as zvogëlohen) nga furnizuesi/t e energjisë elektrike dhe po ashtu nuk mund të ndryshohen në çast.
Meqenëse çmimet e energjisë elektrike me pakicë, me të cilën furnizohen konsumatorët e lidhur në nivelin e tensionit të shpërndarjes, nuk mund të përcaktohen nga vetë furnizuesit, si dhe nuk mund të ndryshohen në çast nga vetë rregullatori, në raste të caktuara mund të shfaqen situata ku të hyrat e operatorëve të sistemit  dhe atyre të tregut nuk mund t’i mbulojnë as edhe shpenzimet e tyre.
Sa për ilustrim praktik:

  • Fatura e energjisë elektrike e periudhës 12/2021 në një amvisëri të shqyrtuar (banesë) kap vlerën neto 87.71€.
  • Kostoja me të cilën furnizuesi KESCO e ka sjellë këtë energji deri tek njehsori elektrik i OSSh-së, kap vlerën neto të paktën 127.36€!
  • Pra në periudhën e lartcekur, energjia të cilën furnizuesi KESCO e ka sjellë deri tek njehsori në këtë banesë, i ka kushtuar kësaj të fundit të paktën 45% më shumë sesa vlera me të cilën e ka faturuar të njëjtën, për këtë konsumator. Andaj ky është një shembull tipik i kuptimit të krizës energjetike që e ka kapluar së fundmi Evropën dhe jo vetëm, si dhe reflektimit të saj edhe në vendin tonë.

Ngritja e çmimit të energjisë elektrike e cila ka ndodhur në muajin Shkurt, për konsumatorët shtëpiak pas një vlere të caktuar të konsumit mujor (mbi 800 kWh), pas një procesi te jashtëzakonshëm tarifor (përfshirë edhe subvencionimin e premtuar nga shteti për sistemin), ka pasur për qellim mbulimin e kostos së arsyeshme të operatoreve e po ashtu edhe stimulimin për shpenzim sa më racional të energjisë elektrike.


2.    Çmimi i importit të energjisë elektrike
Qysh nga fundi i verës së vitit të kaluar, çmimi i energjisë elektrike në bursat evropiane të energjisë, ka filluar të ketë një ngritje të paparashikuar dhe paparamenduar e të kap vlera rekorde të pa imagjinuara ndonjëherë. Çmimet në këto bursa, të cilat përkthehen si çmime të importit për vendin tonë, janë ngritur në disa qindra përqind, në krahasim me periudhën e para-krizës energjetike.
Fatkeqësisht, i njëjti trend po vazhdon edhe tani, me një tendencë potenciale për një ngritje edhe më të madhe në dimrin që e kemi përpara.
(Analiza e faktorëve që kanë ndikuar në këtë ngritje nuk është subjekt i këtij shkrimi sqarues. E njëjta mund të trajtohet në një shkrim vijues, nëse paraqitet si relevante).

3.    Varësia e Kosovës nga importi i energjisë elektrike
Arsyeja e përmendjes së çmimit të importit të energjisë elektrike në seksionin paraprak, është e lidhur ngushtë me varësinë e vendit për import të energjisë elektrike, e kjo është e theksuar më së shumti në muajt e ftohtë të vitit, kur kërkesa për energji është më e lartë.
Prodhimi vendor i energjisë elektrike kryesisht realizohet përmes termocentraleve të stër-vjetruara KOSOVA A dhe KOSOVA B. Blloqet aktualisht funksionale të TC KOSOVA A janë lëshuar në punë duke filluar qysh nga viti 1970 e tutje, ndërsa ato të TC KOSOVA B qysh nga viti 1983 e tutje, pra kanë një vjetërsi duke filluar prej 52 dhe 39 vite respektivisht.
Raporti i prodhimit vendor të energjisë elektrike për vitin 2021 tregon se 93% e prodhimit vendor të energjisë elektrike, ka ardhur nga TC KOSOVA A dhe TC KOSOVA B së bashku.
Viti 2021 ishte karakteristik se përveç rritjes së çmimeve të importit të energjisë elektrike, në Kosovë kishte edhe rritje drastike të konsumit, e kjo nuk na vë në dyshim se ishte për shkak se çmimet paraprake të energjisë elektrike “e subvenciononin” ngrohjen përmes energjisë elektrike dhe vazhdimisht kishte kalim të konsumatorëve nga ngrohja me alternativa të tjera në ngrohje me energji elektrike.
Kjo ka bërë që ngarkesa maksimale në Sistemin e Transmetimit të Kosovës, në muajin Dhjetor 2021, të kishte arritur pikun më të lartë të regjistruar ndonjëherë me 1,398 MW.

Duhet pasur parasysh se kapaciteti maksimal i njëkohshëm prodhues i të gjitha njësive funksionale të TC KOSOVA A dhe TC KOSOVA B së bashku, nuk mund ti kaloj 915 MW. Edhe pse një skenar i tillë është pothuajse i pamundur, që të gjitha blloqet të punojnë njëkohësisht për një kohë të gjatë, duke pas parasysh vjetërsinë e tyre si dhe remontet e nevojshme. Duhet theksuar se në përgjithësi Kosova është vend neto-importues i energjisë elektrike.

Meqenëse gjatë verës konsumi i energjisë elektrike është i ulët, pasi që Kosova nuk ka potenciale turistike verore që do të shpenzonin energjinë elektrike për klimatizim dhe arsye të tjera, ndërsa gjatë dimrit konsumi është jashtëzakonisht i lartë, i cili kryesisht realizohet nga amvisëritë (por edhe bizneset) për ngrohje, kjo paraqet problem edhe në fleksibilitetin e vetë sistemit. Konsumi i energjisë elektrike duhet të jetë gjithmonë i balancuar me prodhimin e saj, në mënyrë që sistemi të jetë fleksibil dhe të funksionoj. Në vendin tonë, kryesisht gjatë dimrit, në rastin e rënies nga puna të ndonjërit apo disave nga blloqet e TC-ve ekzistuese, kërkesa për import në sasi të mëdha të energjisë bëhet imediate, dhe në këto raste çmimet e importit janë jashtëzakonisht të larta, e sidomos gjate krizës energjetike që po e kalojmë. Edhe nëse të gjitha blloqet janë në funksion, gjatë pikut në dimër, importi i energjisë elektrike është i pashmangshëm në situatën ekzistuese. Kostoja e këtij importi në kohën e krizës energjetike është jashtë çdo parashikimi të mëparshëm.

Figura më poshtë tregon maksimumet dhe minimumet mujore të ngarkesave si dhe mesataren mujore të konsumit përgjatë vitit 2021 në Kosovë. Ngarkesa ka ndryshuar nga 310 MW (min) në muajin Maj në 1,398 MW (max) në muajin Dhjetor, me një ngritje të raportit maksimum/minimum prej 351%!

Në rastin e raportimit të sasisë së energjisë së importuar respektivisht eksportuar nga vendi, gjithmonë është e rëndësishme të flitet në terma financiar. Kjo për faktin se një sasi e energjisë tepricë gjatë verës (shembull njësia bazë prej 1 MWh)  mund të eksportohet me një çmim të caktuar (varësisht nga tregu) dhe se importi i të njëjtës njësi, gjatë dimrit kur kërkesa për energji është më e lartë, mund të importohet me një çmim të themi 10 herë më të lartë apo edhe më shumë. Andaj bilanci financiar i raportit eksport/import të një vendi është çdoherë i domosdoshëm përkrah atij energjetik në rastin e paraqitjes së statistikave të tilla.

Masat që duhet ndërmarrë konsumatorët shtëpiak

Ndër masat e menjëhershme të cilat duhet ndërmarrë konsumatorët shtëpiak mund të përmenden:

  • Shfrytëzimi i alternativave të tjera për ngrohje, aty ku ka mundësi.
  • Në objektet banesore ku është e pamundur një gjë e tillë, kalimi në ngrohës efiçent si dhe menaxhimi më i mirë i hapësirave të ngrohjes.
  • Kujdesi në ngrohësin e ujit dhe kohën kur ai përdoret. Potencialisht zëvendësimi i tij me ngrohës diellor.
  • Përdorimi i pajisjeve elektro-shtëpiake në kohën kur energjia është më e lirë (jashtë pikut).
  • Ndalja e furnizimit pajisjeve që nuk ka nevojë të përdoren në kohë të caktuara, duke filluar nga dritat.
  • Etj.

Ndërsa disa nga masat afat-gjata janë:

  • Izolimi i objekteve të banimit, me të gjitha elementet që përfshin izolimi.
  • Zëvendësimi i pajisjeve elektro-shtëpiake jo-efiçente me pajisje efiçente.
  • Etj.

(Në këto masa nuk janë përfshirë masat që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse dhe akterët relevant dhe as ato nga konsumatorët jo-shtëpiak)