Njëra ndër qëllimet e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike është që të jetë në hap me teknologjinë më të fundit duke përdorur pajisjet dhe metodat më efikase për ta rritur kënaqshmërinë dhe besueshmërinë ndaj konsumatorëve, përmes shërbimeve cilësore.

Se cilat janë disa nga teknologjitë më të fundit të KEDS dhe cili është roli i tyre, mund ta kuptoni në tekstin në vijim.

Instalimi i FID-ve (Detektorëve Tregues të Defekteve)

Disa nga pajisjet teknologjike më të fundit që kanë hyrë në përdorim gjatë vitit 2021 janë detektorët tregues të prishjeve, që shërbejnë për të lokalizuar defektet e ndryshme që ndodhin në rrjet brenda një kohe shumë të shkurtër.

KEDS së fundi ka instaluar Detektorin Tregues të Defekteve (Fault Indicator Detector, FID), në linjën ajrore 35 kV Prizren 1 – Zhur, ku ky FID mund të monitorohet nga sistemi ekzistues SCADA.

Kështu, në momentin që ndodh ndonjë avari në linjën 35 kV Prizren 1 - Zhur, treguesit do të monitorojnë rrymat e regjistruara dhe në varësi të defektit do të gjenerohet një dritë specifike vezulluese (LED).

Nëse defekti ka ndodhur ndërmjet nënstacionit të furnizimit dhe vendit ku janë vendosur treguesit, atëherë do të nënkuptohet se defekti ka ndodhur në atë pjesë.

Përdorimi i treguesve të tillë zvogëlon kohën e gjetjes së avarive në minimumin absolut. Po ashtu, përfitim tjetër i rëndësishëm i instalimit të këtyre FID-ve, është reduktimi i ndjeshëm i kohëzgjatjes së ndërprerjeve të energjisë.

Instalimi i FID-ve pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim, në linja të tjera të rëndësishme 35 kV dhe së bashku me instalimin e tyre do të bëhet njëkohësisht edhe integrimi i tyre në sistem.

Sistemi i Menaxhimit të Shpërndarjes (DMS)

Së bashku me SCADA, një nga sistemet e mençura më të fundit që përdoret në KEDS është Sistemi i Menaxhimit të Shpërndarjes (Distribution Menagement System, DMS).

Ky sistem ndihmon qendrën e kontrollit dhe personelin operativ në terren në monitorimin dhe kontrollin e sistemit të shpërndarjes elektrike.

DMS përfshin monitorimin, analizën, kontrollin, optimizimin, trajnimin dhe mjetet e planifikimit dhe të gjitha këto funksionojnë në një përfaqësim të përbashkët të të gjithë rrjetit të shpërndarjes.

Gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, KEDS ka qenë në proces të përgatitjes së të dhënave të plota për rrjetin elektrik në mënyrë që këto të dhëna të integrohen në sistem.

Instalimi i SCADA-s në stabilimentet shpërndarëse

Sistemi SCADA tashmë që një kohë të gjatë është duke monitoruar dhe komanduar nga distanca të gjitha nënstacionet e nivelit të tensionit të mesëm. KEDS pas realizimit të monitorimit dhe kontrollit të rrjetit në nivelin e tensionit të mesëm, ka vazhduar me zbatimin e këtij procesi në nivel të tensionit të ulët.

Duke ditur benefitet që ky sistem ka sjellë deri më tani, është parë më se e nevojshme që ky sistem të vazhdojë të realizohet edhe në disa pika të tjera të rrjetit që janë në numër më të madh.

Pra, në vitin 2021 sistemi SCADA ka filluar të realizohet edhe në stabilimentet 10(20)/0.4 kV.

Punimet për të realizuar një gjë të tillë kanë nisur gjatë vitit 2021 dhe po vazhdojnë në Distriktin e Mitrovicës, Pejës e Prizrenit dhe për të vazhduar më pas edhe me distriktet tjera.

Përfitimet e instalimit të sistemit SCADA në stabilimentet do të jenë të mëdha, sepse një integrim i tillë do të ndihmojë në monitorimin dhe kontrollin e pikave më kritike të rrjetit të shpërndarjes.