Ebru Özdemir është mishërim i një gruaje këmbëngulëse, e cila me punën e saj ka kontribuar në realizimin e qindra projekteve të suksesshme inxhinierike e ndërtimore brenda dhe jashtë Turqisë.

Özdemir ka përvojë 13-vjeçare në rolin e kryetares së bordit të Limak-ut, si dhe është avokuese e barazisë gjinore, kryesisht në profesione që gratë kanë qenë më pak të përfaqësuara tradicionalisht.

Me vetiniciativë, para shtatë viteve ajo e filloi programin “Vajzat Inxhiniere të Turqisë”,  projekt ky që tani ka marrë vëmendje globale duke u zgjeruar në “Vajzat Inxhiniere të Globit”.

Për të mësuar më shumë për aktivitet e saj si udhëheqëse në biznes dhe avokimin e saj për barazi gjinore, lexojeni intervistën që e kemi realizuar me të për revistën Energy.

Energy: A mund ta përshkruani shkurtimisht nga këndvështrimi i një gruaje se si është të jesh në rolin e udhëheqëses për një kohë të gjatë?

Ebru Özdemir: Duke qenë kryetare e bordit të Limak-ut tash e një kohë, mund të them me bindje se me role të mëdha vijnë përgjegjësi të mëdha. Sa më shumë kohë që kaloj në rolin tim udhëheqës, aq më shumë ndiej përkushtim ndaj kompanisë dhe stafit tim dhe mundohem të jem një udhëheqëse e mirë për ta.

Në fund të fundit, lidershipi është një aftësi që e mësoni duke e praktikuar me kalimin e kohës. Kur fillova punën në këtë pozitë, fillimisht më dukej sfiduese, pasi që punoja në sektorë të dominuar nga meshkujt, ndërtim dhe inxhinieri. Me kalimin e kohës, kam gjetur forcë në pozicionin tim dhe të qenit grua mendoj se është shumë e dobishme, sepse i shikoj gjërat nga një pozicion pak më ndryshe se sa kolegët e mi meshkuj. Nëse do të më duhej të përshkruaja rolin tim, do të thosha se është sfidues, por jashtëzakonisht shpërblyes. Unë përpiqem të bëhem udhëheqëse më e mirë çdo ditë.

Energy: A mund të përmendni disa aspekte që çdo kompani nuk duhet t'i harrojë kurrë, si ndonjë formulë për sukses të kompanisë?

Ebru Özdemir: Është e pamundur ta përmbledhësh suksesin e një biznesi në një formulë të vetme– secila kompani është e ndryshme dhe përballet me sfida unike. Quote: Nga përvoja ime, kompanitë më të suksesshme janë ato, udhëheqësit e të cilave investojnë në mirëqenien e njerëzve të tyre, ato që sigurohen që punonjësit e tyre e gjejnë punën e tyre përmbushëse dhe sigurohen që biznesi i tyre nuk është vetëm fitimprurës, por edhe që sjellë diçka pozitive në botë. Unë përpiqem t'i ndjek këto rregulla kur udhëheq Limak-un.

Energy: Kujt ia atribuoni suksesin tuaj dhe a keni ndonjë këshillë për gratë që synojnë të arrijnë rolet që historikisht janë ushtruar nga burrat?

Ebru Özdemir: E vërteta është se më është dashur të punoj shumë për suksesin tim. Kur zgjodha të bëhesha inxhiniere, nuk kishte shumë mentore gra në këtë sektor. Kam studiuar dhe punuar kryesisht me burra gjatë gjithë jetës sime, dhe kjo i bie që shpesh më duhej t'ua dëshmoja homologëve të mi burra vlerën time profesionale dhe intelektuale. Por, suksesin tim ia atribuoj këmbënguljes sime.

Sa herë që hasja një pengesë, e shihja si një mundësi për ta sfiduar dhe zbuluar veten time për t'i dëshmuar vetes se mund të punoja, ndonjëherë edhe më mirë sesa burrat përreth meje. Për mua, kjo është një veti thelbësore e një gruaje në rol udhëheqës. Ajo duhet të jetë e fortë, e gatshme për të kapërcyer çdo pengesë për t’i bërë mirë vetes edhe atyre rreth saj.

Energy: Cili është mendimi juaj për angazhimin e burrave në fuqizimin e grave?

Ebru Özdemir: Unë besoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi “burra kampionë apo mbështetës” të fuqizimit të grave, pa përfshirjen dhe mbështetjen e tyre ne nuk do të jemi në gjendje të bëjmë aq shumë ndryshime. Në shekullin e 21-të ne nuk mund të përballojmë të punuarit me pikëpamje tradicionale për pozitat e burrave dhe grave në botë.

Në Limak ne kemi shumë burra, duke filluar nga inxhinierët e deri te drejtuesit e marketingut, të cilët punojnë pa u lodhur në projektin tonë kryesor “Vajzat Inxhiniere të Turqisë”, tani me emrin global, “Global Engineer Girls”. Ata shpesh më thonë se sa i rëndësishëm është ky projekt për ta, si e shohin një të ardhme më të mirë për motrat dhe vajzat e tyre për shkak të mundësive që ky projekt u jep grave.  Për të bërë një ndryshim të vërtetë ne duhet të punojmë së bashku në çdo hap.

Energy: Me çfarë sfidash jeni përballur profesionalisht në të kaluarën? A po përballeni ende me të njëjtat sfida? Si grua, sipërmarrëse, inxhiniere apo në nivelin personal. A ka ndonjë aspekt që lidhet me tejkalimin e sfidave për të cilin do të dëshironit që audienca jonë të dinte?

Ebru Özdemir: Gratë ambicioze që thyejnë “kufinjtë prej xham” përballen me një sërë sfidash që shumë nga homologët e tyre meshkuj nuk mund t'i kuptojnë. Fatkeqësisht, këto çështje pengojnë shumë gra që të arrijnë qëllimet e tyre udhëheqëse dhe zvogëlojnë aftësinë e tyre për të ecur përpara në biznes.

Një nga sfidat më të mëdha është barazia në vendin e punës. Kjo vlen edhe për sektorët e ndërtimit dhe inxhinierisë. Burrat mbizotërojnë në rangjet ekzekutive dhe gratë përballen me sfida jo-proporcionale në përpjekjet e tyre për t’u ngritur më lart. Pagat e grave janë më të ulëta se ato të burrave në çdo nivel të fuqisë punëtore.

Në nivelin C pabarazia midis burrave dhe grave është ndoshta edhe më e theksuar. Ndërtimi i një “lidhjeje motërzimi” apo “Sisterhood”, marrja e mbështetjes nga gratë e tjera, është e dyta në listën time. Gratë në biznes duhet të mbështesin dhe fuqizojnë njëra-tjetrën. Ne gratë duhet të tregojmë unitet, pasion, përsosmëri dhe entuziazëm për të hedhur themelet për përparim përmes punës sonë. Në nivelin C ne kemi nevojë për një “Motërzim në ekzekutiv” që do të funksiononte si një katalizator për të rritur barazinë gjinore në vendin e punës. Pra, së pari, duhet të jemi bashkë.

Dhe e fundit, po aq e rëndësishme, nuk është e mjaftueshme të jesh në një rol ose të ulesh në tryezë Gratë lidere gjithashtu duhet të flasin me vetëbesim Ato duhet të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet, të ndajnë pikëpamjet e tyre, sepse kjo ndikon formimin e politikave. Gratë duhet të jenë shembull për gjeneratat e ardhshme.

Energy: Në vitin 2016 ju themeluat Fondacionin Limak. Fondacioni ngërthen të gjitha projektet filantropike dhe sociale të Limak Holding. Një nga projektet tuaja që ka qenë aktiv në Turqi, synon të rrisë pjesëmarrjen e grave dhe qasjen  e tyre në fushat e inxhinierisë. Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me këtë Projekt dhe çfarë do të ndodhë më pas me Engineer Girls of Türkiye?

Ebru Özdemir: The Engineer Girls of Türkiye është një nismë e guximshme për të tërhequr më shumë gra në inxhinieri. Unë e quaj atë projektin kryesor të Limak-ut.

Në fund të fundit, ne përpiqemi të fuqizojmë dhe angazhohemi me vajza dhe gra të reja të cilat duan  ta ndjekin arsimin dhe karrierën në fushën e inxhinierisë.

Ky vit shënon vitin e 7-të të projektit dhe deri më tani kemi arritur një numër të madh studentesh, mentore, gra profesioniste të inxhinierisë.

Me këtë projekt, ne synojmë t'i pajisim inxhinieret e reja me mjetet e nevojshme për të konkurruar dhe për të pasur sukses në vendin e punës në të ardhmen. Ne duam të krijojmë një “sisterhood-motërzim” të vërtetë dhe t'u tregojmë vajzave dhe grave se ka një të ardhme të vërtetë për to si inxhiniere e profesioniste. Ne duam që ato të kenë lidere që i udhëzojnë dhe u ofrojnë mbështetje dhe këshilla në drejtimet e karrierës së tyre.

Projekti filloi për herë të parë në Turqi 7 vjet më parë me vetëm 40 studente. Tani, qindra studente në Turqi dhe Kuvajt kanë përfituar nga programi. Këtë vit ne gjithashtu zgjeruam punën tonë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut dhe jemi në proces të rekrutimit të grupeve tona të para në këto lokacione të reja. Po ashtu po e riemërojmë projektin me emrin Global Engineer Girls.

Ne po punojmë së bashku me Programin e Zhvillimit të OKB-së për të maksimalizuar shtrirjen tonë në të gjithë globin, pasi shohim një nevojë të madhe për të ofruar mbështetje për vajzat në të gjitha kontinentet e botës për të studiuar dhe punuar si inxhiniere.

Unë jam shumë krenare të them se në shtatë vitet e fundit ne kemi krijuar një komunitet të vërtetë midis pjesëmarrësve tona Global Engineer Girls – ato janë si një familje e madhe që tani përfshin 4 vende dhe kjo familje do të vazhdojë të rritet.

Në vitet e ardhshme ne duam të zgjerojmë Global Engineer Girls edhe më tej dhe të bëhemi vërtet globalë. Qëndroni në rrjedha për të rejat që po vijnë!

Energy: Çfarë këshillash do t'u jepnit vajzave të tjera? Çfarë duhet të bëjnë ato për të arritur qëllimet, ëndrrat e tyre?

Ebru Özdemir: Këshilla e parë që do t’i jepja atyre është të jenë të zellshme dhe të punojnë shumë. Fatkeqësisht, gratë duhet të punojnë akoma më shumë se homologët e tyre meshkuj për të arritur sukses.

QUOTE 2: “Si në aktivitetet inxhinierike ashtu edhe në ato sipërmarrëse, zelli është absolutisht jetik. Së dyti, unë do të rekomandoja të qëndrojnë fleksibile dhe të kenë shkathtësi të të menduarit.”

Padyshim që të gjithë ne hasim pengesa dhe sfida në të gjitha aspektet e punës. Sfidat e menjëhershme mund ta bëjnë të vështirë të shohim pamjen më të gjerë ose mund të na detyrojnë të devijojmë nga rruga e suksesit. Qëndrueshmëria dhe shkathtësia e të menduarit janë kritike në ruajtjen e drejtimit të duhur.

E treta, por assesi më pak e rëndësishme, do të ishte vendosmëria dhe entuziazmi.

Për të arritur ëndrrat tuaja ose për të përfunduar një detyrë masivisht komplekse në kohë, ju duhet të jeni të vendosura dhe entuziaste për atë që bëni. Vendosmëria është ajo që do t'ju bëjë të kaloni vijën e finishit. Dhe entuziazmi është ai që do t'ju mbajë të buzëqeshni gjatë rrugës.

Energy: A mund të ndani 3 këshilla (ose aspekte) që çdo grua që dëshiron të arrijë qëllimet e saj, personale apo profesionale, nuk duhet t'i harrojë kurrë? Sidomos për të gjitha gratë e KEDS & KESCO?

Ebru Özdemir: Mendoj se për të arritur sukses të gjitha gratë në mbarë botën duhet të kenë:

- Durim

- Pasion

- Përkushtim / Vendosmëri / Punë e palodhur

Duhet të jeni të durueshme.. Ndryshimi ndodh, por nuk ndodh shpejt. Ju duhet të keni pasion për të shijuar atë që bëni dhe për të arritur atë që planifikoni.

E fundit po aq e rëndësishme, është se duhet të jeni këmbëngulëse… Do të thotë se duhet të punoni shumë për kauzën tuaj, duhet të jeni kokëfortë dhe të përkushtuara.