
Kultura në kohë pandemie
Njerëzimi ka përjetuar luftëra e fatkeqësi të mëdha gjatë historisë, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë globale në këtë mënyrë dhe me përmasa kaq të mëdha. U bë mbyllja totale që paralizoi ekonominë e mbarë botës. U bëmë dëshmitarë të rrugëve të boshatisura në mbarë botën, që deri dje vlonin nga qarkullimi i njerëzve e komunikacionit që mbillnin trishtim e frikë te të gjithë.
Me futjen e globit në karantinë, ngjarje kjo krejt e re e pa precedent, institucionet kulturore u detyruan t’i mbyllnin dyert e tyre. Sëmundja COVID-19 i gjunjëzoi artistët. Me vendim të Qeverisë së Kosovës, me masat e parandalimit të përhapjes së korona virusit, më 12 mars u pezulluan të gjitha aktivitete kulturore në Kosovë. Ju vu dryni teatrove, kinemave, muzeve e bibliotekave. Me një ndjenjë të parehatisë, të kufizimit, e të izolimit në shtëpi, të pamundësisë për tu lidhur në mënyrë të zakonshme me audiencat e tyre, artistët u detyruan “të dilnin online” tërësisht.
Petrit Çeku, kitaristi ynë me famë botërore, me recitalin e tij online nga faqja e tij në Facebook me veprat e Franc Shubertit theu akullin e izolimit. Për ta nxitur publikun që ta pranojë më me lehtësi dhe për t’i dhënë ngushëllim për situatën e padëshiruar të izolimit, ai tha se ndonëse jemi të gjithë të ngujuar “në shtëpitë tona -jemi bashkë”.
Petrit Çeku, me transmetimin online nga shtëpia e tij në Zagreb, solli freski në shpirtin e rënduar të audiencës së tij. Me ç’ rast tha: “Dëshira për përmbushjen e rolit tim esencial në shoqëri m ’u zgjua pothuajse intuitivisht, atë ditë kur vendosa ta transmetoja një recital nga banesa ime në Zagreb. Shikueshmëria dhe reagimet e shumta veçse e konfirmojnë këtë teori timen. Mbase kjo situatë e jashtëzakonshme e shpalosi rëndësinë e veçantë të rolit tim dhe të kolegëve të mi në shoqëri”.
Ky hov i shfaqjeve online pushtoi shumë artistë e institucione. Në Ditën Botërore të Teatrit, më 27 Mars, Teatri i Gjilanit dha shfaqjen e parë online. Më 9 prill, me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Filarmonia e Kosovës solli interpretimin e Simfonisë së 9-të të Ludwig van Beethoven, që sjell mesazhin e paqes mes popujve dhe që vlerësohet si një nga veprat më të mira të kompozitorit gjerman. Koncerti qe mbajtur në Prishtinë më 26qershor2019 në shënim të 20- vjetorit të çlirimit të vendit. Kori dhe Orkestra e Filarmonisë së Kosovës drejtohej nga japonezi Toshio Yanagisawa, ndërsa në rolin e solistëve u paraqiten Arta Jashari - soprano, Vikena Kamenica - mexosoprano, Liridon Sadriu - tenor dhe Armando Likaj- bariton.
Edhe institucionet e tjera e individë ndoqën këtë shembull, duke gjetur mënyra alternative që ta mbajnë audiencën afër me shfaqje, koncerte e ekspozita virtuale. Komuna e Prishtinës izolimi për shkak të pandemisë, nxori në shesh kreativitetin e artistëve të cilët në kushte shtëpie po gjejnë mënyra alternative për t’i qëndruar afër audiencës. Performanca të tilla, që kanë shpërthyer gjithandej në rrjete sociale, tash do të kenë edhe përkrahje institucionale.
Komuna e Prishtinës me projektin “#Rri n’ shpi me neve” ka realizuar aktiviteteve kulturore, sportive e edukative që janë shfaqur edhe nga emisionet televizive dhe platformat online në rrjetet sociale të këtij institucioni, gjatë periudhës së pandemisë COVID-19. “#Rri n’ shpi me neve” - “e ngo live”, “kce me çorapa”, “e thellohu me vargje”, performancat muzikore, seancat joga, meditimi, gatimi, poetike, stand-up seanca e të tjera bënë që njerëzit të relaksohen e për një moment të reflektojnë ndryshe.
Me iniciativën piktorit Veton Gusia në kafenetë e njohura si “Kafet e rakisë” më 21, 22 dhe 23 qershor është mbajtur ekspozita treditore e pikturës me titull Art Expo “Ngujimi”, ku janë prezantuar punime dhe aktivitete të artistëve duke reflektuar ditët e kaluara në mbyllje për shkak të pandemisë.
Pandemia e nxori në pah edhe kreativitetin e artistëve të pavarur, të cilët në kushte shtëpie realizuan performanca kreative dhe që e shfrytëzuan artin për t’i bërë më të lehta ditët e izolimit për vete dhe të tjerët.
Lirimi i masave
Rënia e numrit të infektuarve në maj ka shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës që të vendosë për lirimin e masave, duke lejuar hapjen e muzeve, galerive, teatrove e kinemave, gjë që ka shtuar aktivitetet e përgjithshme institucionale e individuale, që ishin të etshme për kulturë. Më 1 gusht në ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita individuale e artistit të mirënjohur Jakup Ferri, ekspozitë kjo që shpalos punën 15 vjeçare të artistit. Ekspozita është organizuar ashtu që të respektohen masat e Ministrisë së Shëndetësisë me numër të caktuar vizitorësh që duhet respektuar distancën. Situata e fundit që ka kapluar vendin, ka bërë që secili aktivitet të zhvillohet me shumë masa e kufizime, ndër to ishte edhe kjo ekspozitë e cila limiton edhe numrin e vizitorëve
Festivali Ndërkombëtar i Filmave të Shkurtër e Dokumentarë - DokuFest në gushtin e sivjetshëm nuk e pati shkëlqimin e viteve të tjera, kur kalldrëmet e qytetit të Prizrenit i vërshonin dashamirët e filmit nga mbarë bota, që përveç prodhimeve të reja të filmit, shijonin mikpritjen e ushqimet tradicionale. Në qytetin e vjetër, buzë Lumëbardhit u mblodhën organizatorët e miqtë e afërm të festivalit, ndërsa audienca ka mund t’i blejë biletat online dhe të ndjek transmetimin e tyre online.
Në Kinemanë Armata, më 20 tetor, si pjesë e Festivalit FEMART, janë shfaqur filmat e regjisoreve kosovare: More Raça, Blerta Zeqiri, Zana Hoxha, Rita Krasniqi, Hana Bucalija, Albana Nila, Vesa Potera, Lorena Sopi, Dita Shaqiri, pasuar nga një panel diskutimi.
Në ditët e para të tetor u hap në Albi Mall edhe kinemaja Cineplexx, ku janë shfaqur filma të rinj të huaj dhe shqiptarë. Biletat janë shitur shpejt që nga fillimi dhe në këtë kinema ka pasur masa të reja me bllokim të karrigeve të shikuesve në mënyrë elektronike, por edhe bllokim fizik të ulëseve.
Më 22 tetor, pas shtatë muajsh, u mbajt Koncerti i Filharmonisë së Kosovës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja orkestra u paraqit me veprat e kompozitorëve shqiptarë. Numri i pjesëmarrësve ishte i limituar, vetëm 40 persona kanë mundur ta ndjekin koncertin dhe rezervimet e vendeve janë bërë online.
Situata aktuale
Në Atelienë "Speakeasy" Veton Gusia në nëntor ka filluar mbajtja e ekspozitave të përjavshme kolektive “Artistët për Artistin” ku marrin pjesë piktorë, skulptorë e grafistë. Të gjithë pjesëmarrësit si dhe artdashësit që vijnë në hapje duhet të participojnë nga 2€ dhe sasia e parave të mbledhura do t’i jepen artistit vepra e përzgjedhur e të cilit do të jetë më e votuara e mbrëmjes. Kështu artistët do të ndihmojnë njëri tjetrin.
“Në këtë mënyrë artistët do të shoqërohen e solidarizohen mes veti e do të fillojë gjallërimi i jetës kulturore, normal me distancë sociale e me maska, me shpresë që do të mund ta organizojmë çdo javë, çdo të enjte”, thekson piktori Veton Gusia. Eroll Murati me ekspozitën “Skulptura e hapësirës”, që është hapur përball Teatrit Kombëtar, ka pasqyruar robërimin e atyre që kanë etje për të udhëhequr dhe urdhëruar dhe do të jetë e hapur deri më 25 nëntor.
Ndërsa, Dua Lipa do të mbajë koncert virtual me titull “Studio 2054”, të premten më 27 nëntor përmes LiveNow.com, që është pjesë e serisë “Unstaged” të American Express. Në rrjetet sociale këngëtarja ka thënë se atë mbrëmje do të ketë muzikë, argëtim, shfaqje, vallëzim e të tjera. Çmimi i biletës standarde është 11.99 dollarë dhe janë në dispozicion për një kohë shumë të kufizuar.
Industria kulturore krijoi formate të reja që janë imagjinatave, por që në pikëpamje financiare janë të paqëndrueshme dhe që nuk mund t’i përmbushin plotësisht pritshmërinë e ndjesinë e përjetimit aty për aty të audiencës për një vepër a performancë artistike. Andaj, lajmi i mirë i këtyre ditëve për zbulimin e vaksinës nga dy shkencëtarët turq në Gjermani është një lehtësi për të gjithë edhe për “mushkëritë e artit”.