Viti që lamë pas është karakterizuar me një investim të fuqishëm të KEDS-it në Prishtinë. KEDS po investon mbi 17 milionë euro në Prishtinë, komplet rrjet të ri nëntokësor dhe modern. Kapacitetet e rrjetit distributiv po dyfishohen, përderisa pjesa më e madhe e qytetarëve të Prishtinës do të kenë furnizim alternativ. Ky investim do ta zgjidhë problemin energjetik të Prishtinës për 30 vitet e ardhshme. Por KEDS nuk është ndalur me kaq.


Lidhur me këtë, të arriturat e kompanisë gjatë vitit 2020 dhe planet për të ardhmen, kemi  realizuar një intervistë me Kryeshefin Ekzekutiv të KEDS-it, z. Alper Erbaş.

Energy: Z. Erbaş, sivjet KEDS ka filluar investime të fuqishme në Prishtinë. A mund të na tregoni për çka bëhet fjalë?

Alper Erbaş: KEDS ka filluar një megaprojekt për rinovimin dhe zgjerimin e rrjetit distributiv në Prishtinë. Pjesa më e madhe e rrjetit të tensionit të mesëm dhe një pjesë e konsiderueshme e tensionit të ulët janë duke u vendosur nën tokë. Kapacitetet e rrjetit të tensionit të mesëm po dyfishohen përmes zëvendësimit të të gjitha kabllove, që do të jenë të reja dhe me kapacitet 20 kV nga 10 kV, sa janë tani. Në të njëjtën kohë, pjesa më e madhe e qytetarëve të kryeqytetit do të kenë furnizim alternativ. Pra, kur ndodh ndonjë prishje, ata brenda disa sekondave do të kalojnë në linjën tjetër. Ky investim do ta zgjidhë problemin energjetik të Prishtinës për 30 vjetët e ardhshme.

Energy: Sa po kushton ky investim dhe çka do të thotë për kryeqytetin?

Alper Erbaş: Investimet shkojnë në 17 milionë euro. Pas përfundimit të këtyre investimeve ju siguroj që rrjeti elektrik në kryeqytet do të jetë modern dhe kompatibil me rrjetet më të avancuara evropiane. Prishtina nuk do të ketë nevojë më fare për investime në rrjetin elektrik distributiv për 30 vjetët e ardhshme. Realizimi i këtyre projekteve nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e ngushtë të Komunës së Prishtinës, për çka e falënderoj kryetarin Ahmeti, për gatishmërinë.

Energy: A është investimi i vetëm që bëri KEDS këtë vit apo ka pasur edhe projekte të tjera?

Alper Erbaş: Padyshim që jo. Për shtatë vjet, prej kur nisëm operimet, ne kemi investuar fuqishëm në rrjetin distributiv të energjisë elektrike. Këto investime i vazhduam edhe sivjet, anekënd Kosovës. Njëjtë sikur në Prishtinë, ne investuam edhe në Fushë- Kosovë. Aty, tashmë është zgjidhur problemi i mbingarkesave dhe qytetarët furnizohen me energji elektrike shumë kualitative. Në Fushë-Kosovë janë vendosur gjashtë dalje nëntokësore të reja nga 20 kV, që  iu shërbejnë mijëra konsumatorëve të këtij qyteti.

Vendosja e rrjetit nëntokësor ka vazhduar edhe në qytetin e Podujevës, Vushtrrisë, Drenasit, Istogut. Nuk janë lënë anash as investimet tjera në dhjetëra lokalitete, duke e rinuar komplet rrjetin e trashëguar në gjendje të rëndë, pasi nuk ishte investuar për dekada me radhë.

Energy: U përmend disa herë fjala modernizim i rrjetit. Çka po ndodh me instalimin e sistemeve digjitale?

Alper Erbaş: KEDS ka kompletuar këtë vit një nga segmentet kryesore të digjitalizimit të rrjetit, instalimin e sistemit SCADA në secilin trafostacion. Tashmë, komplet rrjeti i tensionit të mesëm komandohet nga distanca. Pra, ky sistem mundëson që në daljet e tensionit të mesëm të operohet online përmes kompjuterit, tabletit apo telefonit mobil. Intervenimi përmes SCADA-s është shumë më i shpejtë, më efikas dhe merr shumë më pak kohë deri te ri-funksionalizimi i rrjetit në rast të ndonjë interferimi të papritur. Instalimi i këtij sistemi, si pjesë e digjitalizimit të rrjetit elektrik të Kosovës është bërë që të reduktohet kohëzgjatja e ndalesave të energjisë elektrike, të zvogëlohen humbjet teknike dhe komerciale, reagimi i menjëhershëm në rast të ndonjë defekti, sikurse kontrolli i pajisjeve të rrjetit nga distanca. Të njëjtën kohë, KEDS ka ndërtuar edhe platformën KOSOVANET për të monitoruar çdo lëvizje në rrjetin elektrik. Platforma kontribuon në rrjedhshmërinë e punëve duke u bërë pjesë e pandashme e operimit të ekipeve të prishjeve dhe nivelit organizativ.

Ka vazhduar edhe vendosja e njehsorëve smart, (të mençur) me komandim nga distanca, gjithashtu është modernizuar Qendra e Thirrjes, ku është vendosur sistemi IVR, ku asnjë konsumator nuk mbetur më pa përgjigje për brengën e tij. Instalimi i këtyre pajisjeve dhe sistemeve digjitale janë përmbushje e vizonit të KEDS që të jetë në hap me kohën dhe të ofrojë gjithmonë shërbime përmes fjalës së fundit të teknologjisë, prej nga përfitojnë direkt konsumatorët kosovarë.

Energy: Ky vit ishte i vështirë për shkak të pandemisë që përfshiu tërë botën. Si operoi KEDS-i gjatë kësaj kohe?

Alper Erbaş: Padyshim viti 2020 ishte më sfiduesi për shkak të pandemisë së Covid 19. Ne u mobilizuam menjëherë.

Qindra punëtorë, të cilët qëndruan natë e ditë në çdo cep të Kosovës e kishin një mision, të cilin e realizuan përmes zotimit të tyre dhe të kompanisë: T’i furnizojnë me energji elektrike qytetarët e vendit në kohën kur ata kanë nevojë më së shumti për të. Kësaj ia arritën. Sot KEDS është kompani krenare. Pos që kreu misionin e vet me përgjegjësi të plotë, llogaritet subjekti që e ka menaxhuar në nivelin më të lartë pandeminë.

Ndihem krenar me secilin punëtor të kompanisë që me angazhim të pashoq dhe përkushtim maksimal arritën ta mbajnë në nivelin më të lartë furnizimin me energji elektrike

Energy: Po e lëmë pas një vit të rëndë. Cilat janë planet e KEDS për vitin 2021?

Alper Erbaş: Sigurisht që KEDS do të vazhdojë me projekte të reja investive me qëllim të përmirësimit të rrjetit. Fokusi do të bartet në rajonin e Dukagjinit. Në tri qytetet e kësaj ane të vendit, përkatësisht në Pejë, Gjakovë dhe Istog do të vendosën linjat e tensionit të mesëm në ntokë dhe do të dyfishohen kapacitetet nga 10 në 20 kilovolt, njëjtë siç po veprohet në Prishtinë. Ky investim do të bëjë që kushtet atmosferike, sidomos erërat e fuqishme që godasin më së tepërmi këtë pjesë të vendit, të kenë ndikime minimale në furnizimin me energji elektrike, sikurse të tejkalohen mbinarkesat dhe të krijohen linja alternative për konsumatorët.

Energy: A mendoni që do të jetë sfidues viti 2021 dhe cili është mesazhi juaj?

Alper Erbaş: Duke u bazuar edhe në cilësimet e ekspertëve shendetësor, gjatë vitit 2021 pritet rikthimi në normalitet. Mendoj që do të jetë vit i ri-ngritjes. Sigurisht, që duhen shumë përpjekje nga të gjithë për të tejkaluar pasojat që la pandemia. Por, ne treguam që jemi të zotët t’ia dalim edhe në situata shumë më të vështira, prandaj jam i bindur që së bashku do t’ia dalim. Sigurisht, për të arritur në cakun tonë të dëshiruar duhet angazhimi i të gjithëve, duhet ta mbështesim njëri -tjetrin secili, siç bëmë edhe gjatë pandemisë dhe siç kemi vepruar gjithnjë deri tani. Deri në arritjen e këtij misioni, unë ua uroj të gjithëve Vitin e Ri, me dëshirën që si në rrafshin personal, ashtu edhe në atë të përbashkët, secili të gëzojë shëndet të plotë, të jetë vit i tejkalimit të vështirësive, i rikthimit të fuqishëm dhe i prosperitetit.

Gëzuar 2021!