Drejtori i Sistemit të Operimeve, Bujar Jupaj i shoqëruar nga Këshilltar i Drejtorit Menaxhues të KEDS, Avni Alidemaj, u pritën sot në fshatin Stagovë të Kaçanikut nga Kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi dhe nënkryetari Ylber Bajra së bashku me stafin përcjellës.

Në këtë fshat, KEDS ka filluar projektin investiv të rikonstruimit të rrjetit të TU dhe TM, nga i cili do të përfitojnë mbi 100 familje të lagjjeve: Teneqja, Dashi, Mani, Krraba, Gudash. Krahas vendosjes të mbi 178 shtyllave, sot u bë edhe vendosja e gurëthemelit të Trafostacion 10/0.4 kV.

Këto investime janë mirëpritur nga Kryetari i Komunës së Kaçanikut dhe banorët e këtij fshati.

Sot po bëhet përurimi i një projekti mjaft të rëndësishëm i cili ka qenë kërkesë e kahmotshme e banorëve. Ne si komunë i jemi falenderues KEDS për bashkëpunimit dhe padyshim që edhe banorët janë shumë mirënjohës. Projekti në fjalë, po i bën një zgjidhje afatgjate furnizimit me energji për këta banorë. Rrjeti paraprak ka qenë në gjendje të mjerueshme. Këto investime po i bëjnë zgjidhje shqetësimeve të banorëve të fshatit Stagovë, tha Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi.

Fjalë mirënjohëse dhe falenderuese, tha edhe Kryetari i këtij fshati, Kemajl Jaha. "Pas një angazhimi maksimal, më në fund e arritëm qëllimin. U jemi shumë falenderues KEDS-it dhe Kryetarit, të cilët na mbështetën në kërkesën tonë. Padyshim se këtij investimi i gëzohet secili nga banorët e këtij fshati", tha Jaha.

Ndërkaq, Drejtori i Sistemit të Operimeve në KEDS, Bujar Jupaj, tha se ky investim i cili kap shifrën prej rreth 150 mijë eurove do të sigurojë furnizim kualitativ për këta banorë.

Me jetësimin e këtij projekti, KEDS po i bën zgjidhje afatgjate furnizimit me energji në fshatin Stagovë. Janë rreth 150 mijë euro që KEDS po i investon, duke krijuar një infrastrukturë të sigurtë energjetike këtu, përfundoi Jupaj.