Për t’i shtyrë vajzat e vendit tonë që të ndjekin karrierën në Teknologjinë Informative, KEDS, në kuadër të KEDS Academy vjen për herë të parë këtë vit, me programin “Girls TECH”, që është ideuar nga drejtoresha e Departamentit për Cilësi, Siguri dhe Trajnime të KEDS, Valbona Kadrijaj.

Për revistën ENERGY ajo na tregon më shumë rreth ideimit dhe realizimit të programit Girls TECH.

“Thyerja e paragjykimit se lëmenjtë e matematikës, shkencave natyrore dhe teknikës nuk janë për vajza dhe dhënia e mundësisë vajzave që me sukses të inkuadrohen në një lëmi shumë konkurruese, por edhe të kërkuar, ka qenë ideja shtytëse për realizimin e programit për vajza në teknologji, Girls TECH, ” thotë znj. Valbona.

Ndërsa një tjetër arsye tjetër pse hartuesit mbrapa programit kanë vendosur që programi të ketë në thelb fushën e programimit, është fleksibiliteti i shumtë që ofron kjo fushë.

Programimi është lëmi që nuk kërkon investim të madh në pajisje ose hapësirë punuese. Për shumicën e angazhimeve në programim nuk është as e nevojshme të jeni fizikisht prezentë në kompaninë që punoni. Edhe pse jeni në Kosovë, ju mund të merreni me programim të nivelit botëror, si individ i pavarur ose punëtor i një kompanie të huaj, thotë Kadrijaj.

Programi Girls TECH,  fokus grup ka nxënëset e shkollave të Mesme Profesionale profili i Informatikës dhe Gjimnazet, klasa 12, të cilat kanë shkathtësi bazike në përdorimin e Teknologjisë Informative, si dhe sukses të mirë në vitin paraprak.

Duke filluar nga muaji maj po në këtë vit, 15 vajza të përzgjedhura për të ndjekur Girls TECH do të rrisin njohuritë dhe shkathtësitë e programimit, ku me përfundimin e programit, ato veçse do të kenë fituar aftësi dhe specializim në disa gjuhë programuese.

Për hartimin dhe përpilimin e moduleve të programit, janë përkujdesur profesionistët e fushës përkatëse të KEDS dhe tani gjithçka është gati për të filluar implementimin.

“Ne në KEDS kemi bërë gjithçka gati për të filluar me realizimin e programit. Kemi pajisur sallën me kompjuterë dhe kemi instaluar programet e nevojshme. Gjithashtu edhe stafi monitorues dhe trajnues është gati, ku përpos angazhimeve të Departamentit për Cilësi, Siguri dhe Trajnime, përkrahje në zbatim kemi edhe nga Departamenti i IT-së.”

Përveç aftësimit profesional, pas përfundimit të programit për ato vajza të cilat tregojnë përkushtim të madh në ndjekjen e programit, do të jenë dyert e hapura edhe për punësim: “Për më të mirat do të ofrohet puna praktike në departamentin e IT-së dhe mundësia e punësimit, ” thonë jetësuesit e programit.