Shekuj më parë një ndër qendrat më të zhvilluara të tregtisë filloi të ndërtohej në Ballkan. Pikërisht aty, ku dikur zanafilla e zhvillimit ekonomik të qytetit kishte marrë hovin më të madh ndonjëherë. Një qytet i artizanaleve që shërbente për fshatrat e zonat e largëta, e ku historia sot ka zënë shtat.

Në pjesën perëndimore të Kosovës, në qytetin historik të Gjakovës, edhe pas gjithë kësaj kohe, përsëri kishin filluar të hapen rrugët. Jo për të gjurmuar fakte arkeologjike, por për të mundësu fillimin e një transformimi që do ta përjetonte qyteti i Gjakovës. Vetëm dy vjet pasi kishte marrë përsipër distribucionin e energjisë, KEDS kishte nisur një ndër projektet më të rëndësishme në rrjetin elektrik të asaj ane.

Transformimi i komplet qendrës së qytetit, që dikur njihej si Çarshia e Madhe apo Çarshia e Vjetër, kishte filluar të marrë formë. Ajo që nuk ishte bërë për vite e dekada me radhë, po bëhej pikërisht nga Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike. Komplet rrjeti elektrik po futej nëntokë për t’i lënë hapësirë kreativitetit të sipërmarrësve që ushtronin veprimtarinë atje, që atë pjesë të qytetit ta shndërronin në një ambient të ngrohtë për këdo që do të kalonte andejpari.

Dyqanet e vogla prej druri e arkitektura që daton që prej shekullit XVI, nëse jo më herët, tashmë po vihej në pah përsëri. Origjinaliteti arkitekturor i asaj pjese historike të qytetit kishte filluar të marrë ngjyrat e veta.

Shtyllat e vjetërsuara të drurit që thuajse preknin kulmet e objekteve antike e kabllot e varur mbi njëri-tjetrin që shëmtonin tërë atë histori që vihej para syve të turisteve, njëherë e mirë po largoheshin për të mos u parë më. E për të ruajtur antikitetin e asaj pjese historike të Gjakovës, KEDS ishte përkujdesur në detaje që edhe ormanet e rrymës që do të vendoseshin t'i përshtaten zonës së mbrojtur historike, duke i ngjyrosur e mbështjellur me elemente që i ngjasonin drurit, ku çdo gjë do të ishte në harmoni me njëra-tjetrën. Zotimi i KEDS për të transformuar gjendjen e rrjetit elektrik në Kosovë tashmë kishte filluar. Ishin hedhur hapat e parë drejt një rrugëtimi, që do të linte gjurmë në pothuajse secilin qytet.

 Ishte pritur për vite me radhë e sot po bëhej realitet. Jetësimi i këtyre projekteve do të gëzonte tej mase banorët, të cilët dikur e konsideronin si mision që asnjëherë nuk do të realizohej. Dukagjin Boshnjaku, i cili për vite me radhë ushtron veprimtari biznesi në qendrën e Gjakovës, thotë se një projekt i tillë, i ka kthyer pamjen e merituar asaj zone historike. “Shtrirja e rrjetit nëntokë, krahas sigurisë për neve që jetojmë e punojmë në këtë pjesë të qytetit, po i kthen edhe pamjen e merituar Çarshisë. Arkitektura e dikurshme po vihet në pah e bashkë me të edhe historia, kur dihet që kjo pjesë dikur ishte qendër e tregtisë”. Tashmë ky transformim po prekte çdo cep të Kosovës, në qytete, fshatra e lagje.

 Ato kishin filluar të marrin pamje tjetër. Me dinamikë të lartë të punës e me përkushtim maksimal, dhjetëra e qindra ekipe të shpërndara gjithandej vendit, po punonin pa ndalë që njëherë e mirë rrjeti elektrik të futej nëntokë e bashkë me të, me qindra mijëra shtylla të largohen përfundimisht.

Dikur, pikërisht këto shtylla ishin “e keqja e lagjes”. Familjarët detyroheshin vazhdimisht që fëmijët t’i shoqëronin për në shkollë, krejt kjo për shkak të rrezikut që u kanosej nga vjetërsia e shtyllave të drurit. E në anën tjetër, kabllot elektrike që më herët qëndronin pezull në këto shtylla, i kishin orët e numëruara deri në stuhitë e radhës, pasi që ato ishin të zhveshura e çdo lëvizje sado e vogël, shkaktonte kontakt me njëra-tjetrën, duke lënë kështu pa energji dhjetëra e qindra banorë të atyre zonave. Nga Peja në Gjilan e nga Prizreni në Mitrovicë, Kosova kishte filluar të shndërrohet e transformohet në qytete pa tela. Këto investime që nisen vite më parë, po vazhdojnë edhe sot të përkrahen fuqishëm nga vetë komunat, që me entuziazëm e kanë pritur një iniciativë të tillë e cila çdo ditë e më shumë po zhvillohet.

Ndër projektet më të rëndësishme që është implementuar në komunën tonë është shtrirja e rrjetit nëntokë në qendrën e qytetit. Përpos që është ndryshuar për të mirë pamja e qytetit tonë, njëkohësisht është rritur siguria për qytetarët. Jemi falënderues që një projekt i tillë është jetësuar edhe në komunën tonë, thotë Bali Muharremaj, kryetar i Komunës së Suharekës."

Tashmë shumica e qendrave të qyteteve janë me rrjet nëntokësor, derisa synimi i KEDS është që brenda një të ardhme të shkurtër të përfshijë të gjitha në nivel Kosove. Me shtrirjen e rrjetit elektrik nëntokë, KEDS po krijon infrastrukturë të re energjetike derisa me qindra mijëra shtylla po largohen duke i kthyer pamjen e merituar zonave turistike, qendrave të qyteteve dhe vendeve historike.

Krijimi i infrastrukturës së re po i bën zgjidhje njëherë e mirë rrjetit të stër-vjetruar që KEDS ka trashëguar. Kështu, po rriten kapacitetet duke rritur sigurinë e furnizimit me energji të qëndrueshme e kualitative dhe po zëvendësohen me qindra kilometra kabllo. Përmes këtyre investimeve nëntokësore, po krijohen edhe linjat alternative, që do të mundësojnë furnizim alternativ në rast avarie. Kjo pasi nëse një dalje e asaj linje është në defekt, menjëherë furnizimi kalon në daljen alternative dhe kësisoj konsumatori nuk ballafaqohet me ndërprerje të energjisë elektrike.

Deri më sot, mbi 30 milionë euro janë investuar në rrjet nëntokësor në 7 distriktet në kuadër të mbi 218 projekteve të KEDS, ndërkaq për 8 vite të operimit në Kosovë janë investuar mbi 170 milionë euro në modernizimin e rrjetit. Investime në rrjetin elektrik po vazhdojnë çdo ditë anekënd Kosovës, që tregon përkushtimin e kompanisë për përmbushjen e premtimeve dhe vendosmërinë për të qenë sa më afër konsumatorit.