KEDS është duke realizuar një projekt madhor në qendrën historike të qytetit të Prizrenit. Atje, komplet rrjeti elektrik, po vendoset nën tokë. Kjo do të mundësojë që qytetit të vjetër të Prizrenit t’i kthehet pamja e merituar, pasi me dhjetëra shtylla do të largohen përfundimisht nga atje, së bashku me të gjitha kabllot, përfshirë të operatorëve kabllor.

Krahas qendrës, plani investiv parasheh që edhe rrugët përreth zonës turistike e deri tek Kalaja të bëhen me infrastrukturë të re energjetike nëntokësore.

Vlera e këtij investimi që kap shifrën e rreth 600 mijë eurove, krahas futjes së kabllove nëntokë, përfshinë edhe vendosjen e komplet stabilimenteve të reja në dy nënstacione që do të furnizojnë këto zona.

Përmes këtyre investimeve, do të mundësohet ngritje e kapaciteteve e cila do të ofrojë siguri në furnizim të qëndrueshëm dhe kualitativ për konsumatorët.

Se këto investime që po realizohen në qendrën e Prizrenit janë të mirëpritura, e thotë edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Këto punime që po zhvillohen në qendrën historike të Prizrenit nga ana e KEDS janë shumë të rëndësishme dhe të njëjtat do të krijojnë një pamje edhe më të bukur për qytetin tonë,  u shpreh ai.

Ndërkaq, Drejtori për Investime në KEDS, Hasan Oz thekson se ky është vetëm fillimi i investimeve të mëdha në rrjet në Prizren. “Ne besojmë se të gjitha vendet historike në Kosovë duhet të kenë rrjetin e rinovuar dhe tani koha është për Shadervanin e Prizrenit. Ky është hapi i parë i investimeve të mëdha në Prizren që do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme”, tha Oz.

Investimet e KEDS në rrjet nëntokësorë janë duke vazhduar me intensitet të lartë edhe në qendra tjera të Kosovës, ku brenda një të ardhme të shkurtër, parashihet që të gjitha qendrat e qyteteve te përfitojnë nga investime të tilla.