Njihuni me Rexhep Podvorica, i cili sot doli në pension pas më shumë se 40 vite punë në çështje juridike. Ai ka shërbyer me nder në këtë profesion që nga viti 1982, dhe që nga fillimi i operimit të KEDS në Kosovë, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në pozita të ndryshme ligjore si: Menaxher i Departamentit Ligjor, Ushtrues Detyre si Këshilltar Juridik në KEDS, Udhëheqës i Departamentit, për ta përfunduar si Menaxher për Çështje Komerciale dhe Pronë.

I rrethuar nga menaxhmenti dhe kolegët e tij në këtë ditë shumë të rëndësishme për të, ai falënderoi Kryeshefin Ekzekutiv të KEDS, z.Alpin Dogan, për mundësinë, profesionalizmin dhe ngritjen profesionale që KEDS si kompani di të ofrojë për secilin.

“Sot jam shumë i lumtur dhe i mërzitur në të njëjtën kohë. I lumtur sepse arrita deri këtu me shëndet dhe kam mundësinë ta gëzoj pensionimin, por i mërzitur që po lë pas kolegët dhe vendin e punës, që për mua u bënë familja ime e dytë. Në këtë ditë, dua të falënderoj drejtorin z.Alpin Dogan për mbështetjen e vazhdueshme dhe gjithë kolegët e mi brenda dhe jashtë këtij departamenti, për bashkëpunimin tejet të frytshëm në këtë rrugëtim”, tha ai.

E kryeshefi ekzekutiv i KEDS, z.Alpin Dogan, i cili i ndau mirënjohje Podvoricës në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë, tha se Zyra Ligjore është një nga departamentet tejet të rëndësishme për kompaninë.

“Unë ju falënderoj shumë për kontributin tuaj në kompani, duke qenë gjithmonë me plot kurajo e vullnet për të punuar edhe në sfida të ndryshme. Ta gëzoni pensionimin me shëndet të plotë, afër familjes suaj”, u shpreh ai.

Podvorica gjatë karrierës së tij ka shërbyer si udhërrëfyes për punonjësit e rinj, duke ndarë me ta të gjithë njohurinë dhe profesionalizmin e tij të ndërtuar ndër vite. Mes tjerash ai tha se kushdo që nuk e shpërndanë dijen e vet, mund të konsiderohet si pema që nuk ka fryte.

Ndërkaq, ai pati edhe një mesazh për kolegët që po lë pas, duke thënë se të gjithë duhet të mundohen që të punojnë sa më shumë në ngritjen e tyre profesionale dhe të kompanisë.