Nga roli aktiv në ndërmarrjen e masave preventive para pandemisë dhe puna e vazhdueshme gjatë pandemisë, ditët e kaluara në spital gjatë ballafaqimit me Covid 19 dhe periudha pas tij. Veton Pehlivani, Menaxher Operativ në KEDS tregon rrugëtimin 18-mujor në tri akte.

Të gjithë kanë rrëfimin e tyre për pandeminë Covid 19, edhe Veton Pehlivani, Menaxher në Divizionin e Operimit në KEDS ka të tijën. Ai tregon hyrjen në periudhën e vështirë gjatë fillimit të vitit të kaluar nga një virus i panjohur që po godiste krejt globin.

“Përderisa pandemia po ofrohej, brengosesha shumë për familjen. Por, brengë e madhe ishte edhe fakti që punëtorët që kam nën menaxhim duhet të dilnin në terren. Në ato situata, kur e gjithë bota ishte konfuze dhe nuk dinin si të vepronin, brengat vetëm rriteshin. Çka do të ndodhë, si të veprojmë më së miri për punëtorët tanë”, kujton atë periudhë Vetoni.

Ishte marsi i viti 2020 kur pandemia po i ofrohej Kosovës. Pikërisht disa ditë pa u lajmëruar rasti i parë, KEDS krijoi Komisionin për Menaxhimin e Krizës së Pandemisë. Vetoni ishte pjesë e tij. “Ndërmorëm të gjitha masat në bazë të rekomandimeve të IKSHP-së dhe Qeverisë së Kosovës. Fatmirësisht, muajt e parë nuk e kishim asnjë infektim të vetëm”, thotë ai. Vetoni çdo ditë ishte në terren me punëtorët. “Ishte periudhë me shumë të panjohura. Duhej të isha afër punëtorëve dhe kështu bëra.

S’mund të veproja ndryshe”. Pandemia po merrte hov. Fatkeqësisht preku një pjesë të madhe të popullatës në dy valët e para. Po infektoheshin mijëra veta çdo ditë, përderisa Vetoni, ishte në krye të detyrës çdo ditë, duke bërë maksimumin që pandemia ta prekë sa më pak kompaninë. Ishte vala e fundit, ajo në shkurt të këtij viti, kur Vetoni filloi të kishte lodhje.“Fillimisht mendova që e kam nga lodhja, ngase nuk e kisha asnjë simptomë gripale.

Dhimbjet e trupit filluan të rëndoheshin, ndërsa bashkë më to edhe lodhja. Shkova ta bëj testin dhe dola pozitiv. Sigurisht nuk ishte ndjenjë aspak e mirë,” thotë Vetoni. Virusi nuk po e mundonte aq dhe mendoi se do ta kalonte pa ndonjë problem. Por nuk doli ashtu. “Dhimbjet u rënduan tutje, shkova në Institut. Më rekomanduan shtrim urgjent në spital, në Infektivë”, tregon Vetoni, teksa gjendja kishte filluar t’i rëndohej.

Aty ai qëndroi 6 ditë në terapi intensive. “Jam 50–vjeçar, por nuk isha shtri më herët asnjëherë në spital. Ato ishin 6 ditët më të gjata dhe më të rënda të jetës time. Brengosesha shumë për familjen, pasi të gjithë ishin të infektuar, edhe pse nuk kishin shenja të rënda, ndërsa ata edhe më tepër për mua. Fatmirësisht, falë terapisë dhe kujdesit të madh të stafit, pas 1 jave u përmirësova dukshëm. Më liruan nga aty”.

Vetoni më pas mori terapi edhe një javë tjetër në shtëpi, ku u shërua plotësisht. Pas dy javësh u rikthye në punë. “Me t’u rikthyer, dola sërish në terren me punëtorët. Doja të isha me ta. U gëzuan shumë kur më panë në këmbë”, tregon ai. Me rikthimin e tij, Vetoni vazhdoi ta japë kontributin e vet të pakursyer për kompaninë dhe kolegët e tij. Ai në fillim të gushtit edhe u vaksinua.

“E mora vaksinën që të jap mesazh te të gjithë. Ajo mbron jetën tuaj, të familjes tuaj dhe të kolegëve tuaj. Vaksinohuni që shpëtoni jetë, që të jemi më të lirë”, është mesazhi i tij. Vetoni vazhdon në normalitetin e detyrave të tij në punë, me kujdes të shtuar për veten dhe kolegët në kushte pandemie.