Teksa flet për përkujdesjen ndaj të gjitha intervenimeve të nevojshme në rrjet, Hajdin Zhdrella ia hedh një sy aplikacioneve të njësisë, e sidomos aplikacionit “Kosovanet”, që duket në një ekran televizori i varur në mur. Vëmendjen ia tërheq një pikë e kuqe, në njërin prej rajoneve në vendin tonë që, sipas tij, nënkupton një intervenim të nevojshëm në rrjet.

Hajdini është Menaxher i Rrjetit, njësi që funksionon në kuadër të Departamentit të Operimit të Sistemit në KEDS. Ai menaxhon rregullimin e rrjetit shpërndarës përmes bashkëveprimit me koordinatorët regjionalë.

“Ne funksionojmë si njësi në kuadër të Operimit të Sistemit. Në këtë njësi janë afër 400 punëtorë të angazhuar në tërë Kosovën. Ne koordinohemi në baza ditore me 7 koordinatorët regjionalë dhe 26 koordinatorët e rrjetit të këtyre distrikteve”.

Në qershor të vitit 2020, prej kur Hajdini është në këtë detyrë, tashmë ekzistojnë disa aplikacione, siç është aplikacioni Kosovanet, i cili ua lehtëson shumë punën, si menaxhmentit ashtu edhe punëtorëve. E koordinimin e punëve ai e bën, ndër të tjera, edhe përmes këtij aplikacioni.

“Gjëja e parë që bëj porsa të zgjohem dhe të nis punën është të shoh si është gjendja në rrjet. E nis ditën me “Kosovanet” dhe pak para gjumit ia hedh edhe një herë syrin që të sigurohem nëse gjithçka është në rregull”.

Këtë entuziazëm, Hajdini e ka rutinë. Ai është në dispozicion 24/7. “Pa lap-top e telefon nuk shkoj kund. Në çdo moment mund të më thërrasin”.

I diplomuar në inxhinieri elektrike dhe kompjuterike, Hajdinit i ndihmon shumë edhe karakteri i tij dinamik: marrja e informatave, delegimi i tyre me kohë, koordinimi i punëve, menaxhimi i situatave të ndryshme janë vetëm disa nga angazhimet ditore të tij në punë, të cilat nuk ka dëshirë t’i cilësojë si sfida, por si përkushtim e përgjegjësi morale ndaj konsumatorit.

Dinamizmin e tij e lidh edhe me një pasion për të cilin flet me ëndje: futbollin anglez.

Rehatinë e gjen duke shikuar lojërat e Manchester United, për të cilin ekip me bindje thotë se është më i miri. “Prej fillimit më ka pëlqy ky ekip dhe nuk do ta ndërroj me asnjë tjetër”.

E filozofinë e mbarëvajtjes në punë, Hajdini nuk e merr vetëm si detyrë e obligim, por si një mision.

“Edhe punëtorët i motivoj duke u thënë të mos e marrin këtë punë vetëm si detyrë, por si mision. Sepse, prej nesh varet shumëçka”.