Sot, në prezencë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Kryetarit të Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka dhe Menaxhmentit të KEDS është përuruar projekti për elektrifikimin dhe ndriçimin e fshatit Kabash të Prizrenit.

Ky fshat historik i shtrirë mbi gërmadhat e lashta arkeologjike, po ndriçohet për herë të parë nga KEDS në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit.

Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit në KEDS, z. Alpin Dogan theksoi rëndësinë e këtij projekti investiv, duke shtuar se kjo zonë e cila ka potencial për zhvillim të turizmit tash e tutje nuk do të ketë sfidë energjinë elektrike.

"Dy vite më parë ishim të ftuar për të diskutuar në lidhje me këtë bashkëpunim, për fillim duke e shikuar kërkesën nuk ishte e lehtë, por sot ne finalizuam dhe jemi shumë të kënaqur ta gëzoni edhe ju. Si KEDS kemi investuar mbi 100 mijë euro për të finalizuar 10 km linjë dhe shpresojmë që bashkëpunimi do të vazhdojë edhe për tension të ulët”, tha ai.

Kjo zonë e thellë malore, e cila parashihet të kthehet në zonë turistike, me kyçjen në rrjetin energjetik të KEDS do të ofrojë mundësi të shumta rekreative për qytetarët dhe turistët e huaj.

KEDS po vazhdon me investime në rrjetin energjetik çdo ditë anekënd Kosovës, që tregon përkushtimin e kompanisë për përmbushjen e premtimeve dhe vendosmërinë për të qenë afër konsumatorit për të mbështetur ata aty ku është nevoja.