Në kuadër të fushatës 16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, KEDS e KESCO po organizojnë një sërë aktivitetesh dhe instalacionesh brenda hapësirave të ndërtesës, duke përdorur ngjyrën e portokalltë si simbol global të kësaj fushate.

Përveç mesazheve vetëdijesuese, para hyrjes së ndërtesës është vendosur edhe një baner, në të cilin ftohen punonjësit tanë dhe konsumatorët të shkruajnë mesazhet e tyre kundër dhunës. Këtë herë fushata do të jetë shumë më gjithëpërfshirëse, meqë këtë muaj KESCO ka shpërndarë edhe fatura me mesazhe kundër dhunës.

Për këtë, KEDS dhe KESCO i janë bashkuar thirrjes nga Ministria e Drejtësisë për të vendosur mesazhin vetëdijesues: “Thyeje heshtjen, raportoje dhunën”, në faturat e konsumatorëve, përgjatë  këtij muaji.

Kjo fushatë botërore fillon sot më 25 nëntor, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ndërsa përfundon më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, dhe këto data janë përzgjedhur për të kujtuar se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut dhe ato duhet të promovohen e të mbrohen nga e gjithë shoqëria.

Të gjithë ne, si shoqëri, duhet të kontribuojmë për adresimin dhe eliminimin e diskriminimit dhe t’i japim fund kësaj dukurie.

KEDS dhe KESCO organizojnë çdo vit aktivitete të ndryshme gjatë fushatës globale kundër dhunës me bazë gjinore dhe janë promovues të vazhdueshëm të të drejtave të grave, duke qenë edhe nënshkrues të 7 parimeve të “UN Women” për arritjen e barazisë gjinore në vendin e punës.