Nga sot, 27 Tetor, nis aplikimi për studentët dhe nxënësit që dëshirojnë të jenë pjesë e programit KEDS Academy.

Ky program, i financuar dhe mbështetur nga KEDS, është zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin Bogazici nga Turqia.

Po ashtu për tash e 9 vjet, KEDS ka marrëveshje bashkëpunimi për programin e KEDS Academy me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë.

Shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare nga profesorë të këtij universiteti, si dhe ekspertë të KEDS nga veprimtari të ndryshme që janë pjesë e këtij programit, do të jenë një përvojë e jashtëzakonshme për studentët pjesëmarrës.

KEDS Academy ofron dy programe të ndara por që të dyja kanë të bëjnë me zhvillimin e njohurive/shkathtësive nga sistemi elektro-energjetik në Kosovë.

Këto programe përfshijnë programin për Lidership (Liderët e së ardhmes) për studentët e Universitetit të Prishtinës dhe programin teknik industrial për nxënësit e shkollave të mesme profesionale/teknike në Kosovë.

Programi i lidershipit përveç tjerash përmban edhe module nga aftësitë efektive të komunikimit dhe lidershipit, sigurisë kibernetike, Inteligjenca e biznesit për përsosmëri në biznes, etj.

Ndërsa në programin teknik industrial nxënësit do të aftësohen për konceptet kryesore në zhvillimin energjetik, menaxhimin mjedisor dhe globalizimin, programet teknike me theks të veçantë në lëmin e energjetikës.

Gjithashtu pjesë e programit do të jenë edhe modulet për zhvillimin e aftësive të buta ndër to edhe komunikimi me konsumatorë si dhe zhvillimi i shkathtësive profesionale në fusha të ndryshme, varësisht nga nevojat e kompanisë.

Gjatë një viti sa zgjat programi KEDS Academy, studentët do të ndjekin ligjërata, si dhe do të bëjnë punë praktike nëpër departamente të ndryshme të kompanisë.

Pjesë e programit të KEDS Academy, është edhe angazhimi i studentëve dhe nxënësve në Internship në kohëzgjatje prej 4 muajsh.

Në fund të programit, pjesëmarrësit do të vlerësohen për të arriturat në të gjitha fazat e programit dhe në bazë të rezultatit të treguar, kanë mundësi të punësohen në KEDS.

Informatë tjetër e rëndësishme për studentët është se modulet e trajnimit të cilat ofrohen në kuadër të programit të KEDS Academy, u mundësojnë atyre të përfitojnë ECTS kredi nga Universiteti Bogazici, që do të thotë modulet të cilat janë ekuivalente me lëndët mësimore/zgjedhore në kuadër të programit universitar transferohen në nota.

Po ashtu, studentët që arrijnë rezultat të kënaqshëm gjatë programit, pajisen me certifikata ndërkombëtare nga Pearson/BTEC.

BTEC është një kualifikim me cilësi të lartë, i fokusuar në karrierë, bazuar në botën reale të punës. Kjo do të thotë që përmes këtij programi, studentët zhvillojnë dhe zbatojnë njohuri, shkathtësi dhe sjellje që kërkohen nga tregu i punës por edhe nga universiteti.

Krijimi i liderëve të së nesërmes është misioni i KEDS Academy, duke ndryshuar jo vetëm jetën e qindra të rinjve që janë pjesë e programit por njëkohësisht duke ndihmuar biznese e kompani të gjejnë të rinj profesionistë në fusha të ngjashme, njëherit duke nxitur punësimin e tyre në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar.

Vetëm deri më tani mbi 400 studentë dhe nxënës janë certifikuar nga KEDS Academy, ndërsa mbi gjysma e pjesëmarrësve të suksesshëm janë të punësuar në KEDS.

Si çdo vit, aplikimi në KEDS Academy është falas, e gjitha që duhet të bëni është të përmbushni kriteret e kërkuara, ndër të cilat hyjnë edhe njohja e gjuhës angleze për studentët e Univesitetit, përdorimi i teknologjisë informative si dhe nota mesatare.

Inkurajohen të interesuarit të vizitojnë webfaqen e KEDS dhe rrjetet tona sociale,  për t’u informuar më shumë për detajet e rëndësishme rreth procedurave të aplikimit.

Aplikimi do të jetë i hapur deri me datë 12 nëntor 2021.