Programi KEDS Academy është në hap me kohën çdo vit, si për nga ana e metodologjive të mësimdhënies ashtu edhe nga përmbajtja e lëndëve që ligjërohen. Diskutime, lojëra, projekte në grupe, praktikë në terren, plot aktivitete interaktive, mundësi punësimi, të gjitha këto janë në listën e përvitshme të KEDS Academy.

Këtë vit krahas lëndëve bazë, do të organizohen edhe webinare online me temat më bashkëkohore, siç janë marketingu digjital, filantropia dhe përgjegjësia shoqërore e korporatës, lëndë të përsosmërisë në biznes, etj. Këto webinare janë vlerë shtesë për studentët, duke marrë parasysh që temat që do të diskutohen janë tema bashkëkohore të tavolinave të diskutimit në mbarë botën.

Të gjitha lëndët do të ligjërohen nga stafi i Universitetit Boğaziçi dhe nga profesionistët e KEDS, të cilët njëherit edhe do të monitorojnë dhe vlerësojnë progresin e pjesëmarrësve gjatë programit.

Ligjëratat do të mbahen në fundjavë deri në fazën e internshipit, ku pjesëmarrësit do të bëjnë punë praktike në departamente të ndryshme të KEDS dhe Kesco.

Programi KEDS Academy përfshin pjesën teorike, praktike si dhe Internshipin, dhe ka për qëllim t’i aftësojë pjesëmarrësit kosovarë për tregun e punës, pra të kultivojë liderët e së nesërmes.

Një mundësi e artë e programit është edhe punësimi në KEDS/KESCO pas përfundimit të të gjitha fazave.

Natyrisht kjo vlen për studentët të cilët tregojnë angazhim dhe rezultate të larta të arritshmërisë gjatë periudhës, sa janë pjesë e programit!